Haga e ndërron datën e seancës – Veteranët s’tërhiqen, protestojnë më 17 shkurt

Ndonëse Gjykata Speciale ka ndryshuar datën e mbajtjes së seancës gjyqësore që pritej të mbahej më 17 shkurt, nuk ka ndryshuar qëndrimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kësisoj, OVL e UÇK-së, do të protestojë në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Trupi gjykues në rastin e Thaçit dhe të tjerëve ka vendosur ta ndryshojë datën e seancës ndaj krerëve të UÇK-së, duke e caktuar 15 shkurtin, seancën e radhës.

Për këtë, ushtruesi i detyrës së kryetarit së kësaj organizate, Faton Klinaku ka thënë protesta do të mbahet, përkundër ndryshimit të datës së seancës.

“Ju e dini që si Gjykatë prej themelimit të saj e kemi konsideruar politike dhe kjo përveç që është dëshmuar në shumë seanca gjyqësore që e kanë pas krerët e UÇK-së por edhe pjesëtarë tjerë, dëshmohet edhe me këtë caktimin e datës 17 shkurt, kur është dita e Pavarësisë. Ata qëllimisht i bëjnë këto, sepse me këtë që e bëjnë, e ulin poshtë edhe shtetin e Kosovës, duke u thirr se janë Gjykatë e Kosovës. Po ashtu duke pas për bazë se atje i kemi ish-krerët e shtetit dhe të mbahet seancë në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me të vërtetë është absurde dhe gjë që e dëshmon katërçipërisht që është Gjykatë politike”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se protesta do të mbahet më 17 shkurt.

Klinaku ka thënë se ora dhe vendi i mbajtjes së protestës do të caktohet në ditët në vijim.

“Ne si Organizatë të dala nga lufta edhe kur të tregojmë orën dhe vendin se ku mbahet, natyrisht që presim mbështetje gjithë popullore, por në këtë drejtim, janë të mirëseardhur edhe subjektet politike por edhe Organizatat Joqeveritare”, u shpreh ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.