Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka pasur kritika goxha të ashpra karshi ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Hoti tha nuk e di çfarë ministri është Murati i cili ndonëse i ka 700 milionë euro në xhirollogari, kërkon kredi për skema sociale.
“Gati 100 milionë euro po të zhvlerësohen, një ministër që i ka 700 milion euro në llogari dhe kërkon kredi për skema sociale, çfarë ministër i financave është ai?”, pyeti deputeti i LDK-së gjatë seancës së Kuvendit.
Madje, ligjvënësi opozitar e akuzoi shefin e kuletës kosovare se është marrë vesh me bankën “OPEK” për reformat që janë bërë në vend.
“Anomali edhe më e madhe është se a e di çfarë marrëveshje të kredisë ke pru? Ke pru marrëveshje të kredisë të bankës zhvillimore të OPEK-ut, je marrë vesh me atë bankë të OPEK-ut, të lindjes, për reformat që i keni bërë në Kosovë. Merre me mend”, shtoi Hoti.
Për këtë, Murati pati një kundërpërgjigje të shkurtër.
Ai tha se nëse ka diçka Hoti të thotë, atëherë të del dhe ta sqarojë këtë situatë.
“Sdi çka ka kundër OPEK-ut. Nëse ka le të na sqaron”, ia ktheu Murati Hotit.