Pesë gra çertifikohen brenda grilave në Burgun e Lipjanit

Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër të aktiviteteve artizanale brenda institucioneve korrektuese, ka përfunduar trajnimi njëvjeçar artizanal në filigran argjendi, në të cilën ka certifikuar pesë gra.

Ndonëse brenda grilave, ato nuk hezitojnë që të shprehin edhe talentet e tyre që i kanë, përkundërazi, me shumë kënaqësi presin projekte që mund të mësojnë dhe kalojnë kohë me to.

Mes tyre njëra nga gratë që qëndron aty ka rrëfyer përjetimet e saj që nga fillimi i projektit, derisa shton se nuk ka qenë aspak i vështirë dhe kjo ka ndikuar pozitivisht edhe në brendësinë e saj.

E burgosura: Projekti ka qenë shumë i qëlluar dhe i mirëseardhur

VIDEO: 

“Projekti ka qenë shumë i qëlluar dhe shumë i mirëseardhur dhe nuk ka qenë i rendë aspak, për arsyeje se e kemi prit me shumë kënaqësi dhe me shumë gëzim… Kjo na ndihmon shumë për arsyeje se është diçka që e bëjmë shpirtërisht, dhe na ndihmon për me heq monotoninë, e po ashtu është diçka që paguhet edhe kur dalim prej këtu… Personalisht kjo nuk është diçka e panjohur për mua, për arsyeje se familja ime merret me argjendari dhe ka qenë diçka e njohur për mua, kam pasur njohuri. Ndërsa, për tjerat ka qenë pak e rëndë në shikim të parë, për arsyeje sepse është shumë interesant, është një tel në pyetje, ashtu doket, që prej asaj krijon diçka në fund shumë të madhe e të bukur, me kalimin e kohës jemi liruar dhe çdo gjë ka shkuar mirë.. Kur është bërë ftesa për këtë projekt ka shprehur dëshirën kush ka dashtë me marrë pjesë dhe ne të cilat kemi qenë vullnetare, jemi lajmëruar, mandej me kalimin e kohës gjatë punës ato e kanë parë vetën që nuk kanë prirje për këtë zanat dhe kanë filluar të tërhiqen gradualisht. Ne të pestat që jemi certifikuar, ka treguar që psiqikisht jemi të afta dhe stabile për ta realizuar deri në fund”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka uruar të burgosurat për punën që kanë bërë.

Haxhiu cilëson se diplomimi i tyre dëshmon sesa punëtore janë gratë në çdo ambient që ndodhen.

Haxhiu: Gratë e dëshmojnë që janë punëtore në çfarëdo ambienti, kudo që ato ndodhen

Video: 

“Një sukses të cilin e konsideroj të përbashkët por edhe me relevancë të shumanshme. Ne jemi duke punuar si institucion që të fuqizojmë sa më shumë këto programe rehabilituese. Jam tejet e lumtur që diplomimi i sotëm i pesë grave është dëshmi se ky qëllim për rehabilitim dhe aftësim është një hap më shumë drejtë përmbushjes së tij. Diplomimi i pesë grave është shembull për të gjitha gratë tjera në ketë institucion për ta ndjekur të njëjtin model dhe të aftësohen profesionalisht në një fushë që do të ju ndihmojë atyre si gjatë kohës brenda në institucion po ashtu edhe pas përfundimit të dënimeve më vonë. Gratë e dëshmojnë që janë punëtore në çfarëdo ambienti, kudo që ato ndodhen dhe jam e bindur se edhe këtë qëndrim këtu mund ta shfrytëzoni për t’i rritur aftësitë, ato aftësi të cilat iu i zotëroni. Po ashtu, këto pesë gra që sot diplomojnë pas një procesi që me përkushtim kanë qenë pjesë e tij, na tregojnë se asnjëherë nuk është vonë të punohet në realizimin e ëndrrave dhe gjithnjë është e mundur që me vullnet dhe angazhim të arrihen sukseset. Qëndrimi në institucionin korrektues është një periudhë e caktuar, natyrisht se jeta është e gjatë dhe ka edhe shumë kohe pas kësaj etape rehabilituese, andaj do të ishte mirë që sa më shumë të shfrytëzohet kjo mundësi për t’u aftësuar në zanate e profesione që do t’iu ndihmojnë të bëheni të zonjat e vetës, pasi ta mbaroni kohën brenda ambienteve të institucioneve korrektuese”, tha Haxhiu.

Ministrja e drejtësisë, po ashtu tha se punimet e realizuar ende nuk janë definuar se për çfarë do të shërbejnë. Sipas saj, kudo që ato do të orientohen, qoftë në shitje, qoftë në dhënie si dhurata, për ata që do t’i marrin do të jetë nder.

Haxhiu po ashtu shprehi përkushtim qe si Ministri e Drejtësisë së bashku me Shërbimin Korrektues të Kosovës në vazhdimësi do të jenë në përpjekje që të shtojnë numrin e projekteve dhe mundësive për më shumë punime dhe certifikime.

Ismail Dibrani, zëvendësdrejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka treguar më shumë detaje për aktivitetin. Derisa tha se në këtë kurs kanë qenë të inkuadruara 11 femra, porse kanë arritur ta përfundojnë vetëm pesë prej tyre, pasi sipas tij, është një nga kurset më të vështira.

Dibrani: Kanë qenë të inkuadruara 11 femra por kanë arritur që ta përfundojnë vetëm pesë

VIDEO: 

“Ky është aktivitet që ka filluar që një vit, kryesisht për kursin e Filigranit, por natyrisht se këtu zhvillohen edhe shumë aktivitete tjera dhe këto femra trajnohen për programe dhe zanate të ndryshme… Këto produkte fillimisht do të ekspozohen në institucionet tona, por duke qenë në dijeni që ligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës tashmë ka kaluar në Parlamentin e Kosovës dhe në kuadër të kësaj është e paraparë edhe themelimi i njësisë ekonomike që ne në të ardhmen të kemi mundësi që këto produkte edhe t’i plasojmë në tregun vendor dhe të jashtëm, në mënyrë që ne të kemi mundësi të krijojmë të hyra nga shumë produkte dhe të rritet buxheti i Shërbimit Korrektues… Fillimisht në këtë kurs kanë qenë të inkuadruar 11 femra por me kalimin e kohës, kanë arritur që ta përfundojnë vetëm pesë, duke e parë që është një prej kurseve më të vështira”, tha Dibrani.

Trajneri i Filigranit, Bashkim Tejeci është shprehur i befasuar me punën që kanë bërë pesë gratë.

Tejeci: Kemi menduar që do të hasim në vështirësi por ka ndodhur e kundërta

VIDEO: 

“Ne jemi befasuar për të mirë, kemi menduar që do të hasim në vështirësi por ka ndodhur e kundërta, aq kanë qenë të interesuara, jam befasuar për herë të parë në jetën time, pasi nuk është hera parë që i trajnoj gjeneratat e reja. Më të vërtetë kanë qenë shumë të angazhuara dhe falë angazhimit dhe vullnetit tyre duke u bazuar në kushtet të cilat veprojnë, rezultatet nuk kanë munguar… Dy herë në javë kemi ardhur prej Prizrenit çdo mëngjes dhe jemi kthyer në mbrëmje”, tha Tejeci. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.