Skenderaj një ditë pas vërshimeve – Qytetarët tregojnë tmerrin që përjetuan mbrëmë

Qyteti i Skenderajt është një nga qytetet më të prekura nga vërshimet e djeshmit, që erdhën si pasojë e të reshurave të rrëmbyeshme të shiut. Një ditë më pas, pasojat e vërshimeve që shkaktuan dëme sidomos përgjatë brigjeve të lumit “Klina”, janë evidente, sikur shihen dhe në pamjet.

Të premten janë parë ekskavatorë dhe punëtorë të pastrimit, duke pastruar shtratin e lumit dhe rrugët e këtij qyteti.

Disa qytetarë të intervistuar, treguan tmerrin që përjetuan natën e mbrëmshme.

Ilir Sylejmani nga Klina e Ulët, mesditën e sotme kishte dalë për të parë nga afër pasojat që kanë sjellë vërshimet. Ai për Ekonomia Online, ka treguar se në shtëpinë e tij janë shkaktuar dëme të mëdha.

Thotë se vërshimet ia kanë marrë 15 metra dru që i kishte përgatitur për dimër.

“Jam prej Klinës së Ulët, e aty në Klinë ka dëmtua shumë. Mua m’i ka marrë afër 5 plepa, e mi ka marrë drunjtë 15 metra, më ka marrë lamë, e kam pasur materialin për një garazh edhe tash jemi mbet si jemi mbet por shyqyr prej Zotit nuk ka dëmtua njerëz por dëme materiale vetura e me të gjitha na ka dëmtua”, thotë ai.

“Jo, për momentin jo. Na shpresojmë që na del dikush në ndihmë dhe e kemi shtetin tonë besoj që duhet të na ndihmojë se dikush hek më shumë dikush më pak, sepse kjo është punë e Allahut, vetëm Allahu na ka shkrua kështu dhe s’kem çka bëjmë”, u shpreh tutje ai.

Ndërsa Faton Hakolli tregoi tmerrin që e kanë përjetuar ai me familjen e tij. Thotë se falë ndihmës së një komshiu kishte arritur ta largojë familjen e tij.

“Jetoj me qira në Skenderaj. Deri mbrëmë disi e kemi shty, e mbrëmë menzi jemi dalë prej ujit (vërshimeve). Veç brenda komshiu qaty më ndihmuan me i largua familjen. Disa erdhëm pastaj me automjete i ngarkuan, fëmijët… prej Komunës s’kanë mundur. Mbështetje prej Komunës ka pasur në anët tjera. Vërshimet kanë qenë gjithkah”, thotë Hakolli.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.