Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka shqiptuar vetëm katër gjoba për sektorin privat dhe katër tjera për sektorin publik përgjatë vitit 2022. Shkelësit më të mëdhenj në sektorin publik janë bizneset që reklamojnë produktet e tyre dhe shfrytëzojnë numrat e telefonit pa lejen e qytetarëve.
Këtë e ka bërë të ditur komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva – Dermaku gjatë një diskutimi me Lëvizjen FOL.
Ankesat më të shpeshta për institucione janë për dikasterin qeveritar dhe ministritë, mirëpo edhe për komunat, Këshillin Prokurorial e Gjyqësor.
Sogojeva – Dermaku ka thënë se sfidat që përballet ky institucion janë të shumta, duke përfshirë mungesën e stafit dhe buxhetin e vogël.
“Për vitin 2022 diku rreth 1200 aktgjykime janë publikuar në webfaqen e këshillit gjyqësorit me të dhëna personale. Një nga takimet e para që i kemi pasur si Agjenci ka qenë më këshillin gjyqësor. Duhet ta them hapur se tani me kryetarin e ri të Këshillit Gjyqësor jemi në punë shumë të mirë. Jemi duke punuar në këtë drejtim, kemi ofruar trajnime për këtë çështje. Kjo është një çështje që kërkon diskutim pasi që jo të gjitha aktgjykimet kërkojnë anonimizim të të dhënave”, tha ajo.
“Fushatë për mbrojtjen e të dhënave nuk ka pasur, mirëpo trajnime për të gjithë zyrtarët për mbrojtjen të dhënave kemi bërë. Mbetet sfidë numri i vogël i stafit në Agjenci për Informim dhe Privatësi. Përkundër që ne kemi hapur konkurse për rekrutimin e stafit, mirëpo edhe pse ka pasur shumë aplikantë, shumica nuk e kanë kaluar testin. Buxheti shumë i ultë mbetet sfidë tjetër”, tha ajo.
Sogojeva Dermaku tha se gjobat që parasheh ligji është janë nga 2 mijë deri në 8 mijë euro. E gjobën më të madhe ndonjëherë në Kosovë e ka marrë kompania e sigurimeve “Sigal”.
“Kompanitë e taksive po i shkelin të dhënat e qytetarëve me një numër po i identifikojnë emrin, mbiemrin, ditëlindjen, ku plot qytetarëve iu shkon mesazhi urime ditëlindjen. Gjoba më e madhe që kemi shqiptuar deri më tash është 50 mijë euro, ndaj një kompanie të sigurimeve ‘Sigal’”, tha ajo.