Në ditën kur në Bruksel po takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolomeo, ka vazhduar te mohojë realitetin e krijuar më 17 shkurt 2008 – pavarësinë e Kosovës.
Ai ka thënë se Spanja vazhdon ta respektojë të ashtuquajturin “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”, sipas tij “me përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, përkundër se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e ka dhënë fjalën e saj që pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Pos që Spanja nuk e njehë Kosovën shtet, i ka premtuar Serbisë që do t’i mbrojë interesat e saj nëpër organizata ndërkombëtare, duke nënkuptuar vota kundër Kosovës.
Po ashtu ambasadori spanjoll ka thënë se presidenca e ardhshme e Spanjës me Bashkimin Evropian do të jetë e një rëndësie të madhe për procesin e integrimit evropian të Serbisë.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE), që ende nuk e ka njohur Kosovën.