Dyfishohet numri i udhëtarëve me tren, ulet përdorimi i telefonit fiks për mbi 68 mijë veta

Në muajin janar të këtij viti, numri i qytetarëve që e kanë shfrytëzuar transportin hekurudhor është rritur për mbi 6 mijë e 500 veta apo mbi 55 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë gjatë janarit të këtij viti ka rënë për mbi 68 mijë përdorues apo rreth 10 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, gjatë kësaj periudhe, me tren nuk është regjistruar transport i mallrave, kurse përdorimi i transportit ajror është rritur për mbi 4,5 për qind.

“Në muajin janar 2023, numri i fluturimeve të realizuara ishte 808, ose 4.53% më shumë së në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa numri i udhëtarëve në total ishte 235 567, ose 21.36% më shumë së në periudhën e njëjte të vitit të kaluar. Ndërsa, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 6 505, ose 55.70% më shumë së në periudhën e njëjte të vitit të kaluar, kurse sasia e mallrave të transportuara me tren, në neto ton, ishte 0. Numri i përdoruesve të rrjetit telefonik fiks ishte 68 194, ose 9.32% më pak së në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ndërsa, sipas kësaj Agjencie, numri i përdoruesve të telefonisë mobile me parapagim ishte mbi 1,5 milionë përdorues, apo mbi 3,5 për qind më shumë se në janarin e vitit të kaluar. Kurse përdorimi i atyre me kontratë ishte afër 300 mijë veta apo rreth 2 për qind më i lartë.

“Ndërkaq, në telefoninë mobile, në muajin janar 2023, numri i përdoruesve me parapagim(Prepaid) ishte 1 518 712, ose 3.64% më shumë së në periudhën e njëjte të vitit të kaluar, ndërsa numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) ishte 272 733, ose 2.22% më shumë së në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.