Dëshmitari i njëzetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka folur për një familjar të zhdukur e për të cilin pretendon se ishte marrë nga anëtarë të UÇK-së. Arsyet për këtë, në gjykatore u tha se kishin të bënin me xhelozinë në fshat si dhe faktin që ai ishte përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 4368, ka thënë se ai dhe familja e tij gjatë periudhës së luftës kishin përkrahur hapur LDK-në.
Por sot, derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Eric Tully, ka thënë se nuk është mbështetës i kësaj partie por i kryeministrit Albin Kurti.
Avokati Tully: Ju po ashtu keni thënë se mbase ky inati që ka ekzistuar në fshat mbase ishte për shkak të mbështetjes së LDK-së, mbase mbështetja e LDK-së ka bërë që të arrestohej i afërmi 1. Në deklaratën e dhënë për ZPS-në, në pyetjen pse beson që donin ta likuidonin, ju keni thënë ‘Kishte ca gjëra që ishin bërë bashkë, për shembull fakti që ishte me LDK-në, kishte edhe një inat nga njerëzit në fshat kundër tij’.
Dëshmitari: Sot nuk jam i LDK-së, jam i Vetëvendosjes, i Albin Kurtit, sepse ka ardhur një njëri prej qielli, ka ardhur një njëri shumë i zgjuar, Vjosa Osmani, jam përkrah këtyre, nuk jam më për LDK-në.
Ndërsa në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, dëshmitari është përgjigjur edhe për një rast kur sipas tij kishte shkuar për të takuar Adem Demaçin, por i njëjti sipas tij nuk i kishte pranuar.
Ai ka thënë se aty kishte parë edhe Albin Kurtin.
Avokati Kehoe: Pra shkuat të takoni Demaçin së bashku me personin 2, shkuat për të folur me Demaçin dhe Kurtin, ju keni folur edhe me Kurtin i cili ishte asistent i Demaçit, kështu ka qenë?
Dëshmitari: Demaçi nuk ka dalë prej zyrës vetëm….Kurtin e adhuroj sot se është kryeministër shumë i mirë por nuk kam pasur muhabete me Kurtin, as me Thaçin, Demaçi nuk na ka pranuar, se e diti situatën ku është dhe nuk na ka pranuar.
Avokati Kehoe: Por me Kurtin u takuat, çfarë marrëdhënie kishit me Kurtin.
Prokurorja Hackler: kundërshtojmë i nderuar gjykatës sepse tha që nuk u takua me Kurtin.
Avokati Kehoe: E patë Kurtin kur ishit aty?
Dëshmitari: E pash por pa biseduar, nuk biseduam.
Avokati Kehoe: Çfarë marrëdhëniesh kishit me Kurtin?
Dëshmitari … (Përmbajtje e redaktuar)
Derisa është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes, dëshmitari ka thënë se shtëpia e tij ishte garantuar nga forcat serbe.
Pjesë të mëdha të dëshmisë së tij gjykata i ka transmetuar me përmbajtje të redaktuar apo janë dhënë në seancë private.
Gjithashtu seanca është mbyllur sa herë që pyetjet kanë pasur të bëjnë me emra të personave të tjerë.
Gjatë intervistimit nga avokati Kehoe, në gjykatore është shfaqur një dokument i cili nuk është dhënë edhe për publikun.
Ndërsa ai i ka papërmendur dëshmitarit deklaratat e tij të dhëna më parë.
Avokati Kehoe: Thuhet që kidnapimi dyshohet që është bërë nga xhelozia, thuhet i afërmi 1, një shqiptar i Kosovës dhe disa djem që punojnë jashtë vendit, kurr nuk kanë pasur ndonjë interes në politikë dhe këtë e ka thënë hapur, ai nuk di të lexojë dhe as të shkruajë por kishte shumë influencë në fshatin e tij. A është fakt ky, a ja keni thënë këtij institucioni këtë gjë, që ai nuk kishte fare interes në politikë dhe këtë e ka pas thënë hapur?
Dëshmitari: Unë jo, nuk e di kush e ka thënë këtë.
Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur, për t’u hapur pastaj me pyetjet e avokatit Kehoe lidhur me kidnapimin që pretendohet se i është bërë familjarit të tij.
Dëshmitari ka thënë se të afërmit e tij, “numri 1” dhe “numri 2” u kishin dhënë para serbëve për të mos e futur në burg “numrin 2”.
Ai gjithashtu ka thënë se “numri 1” është përfshirë edhe në rastet me fshatarë të tjerë për të kuptuar se sa para donin serbët.
Dëshmitari: (Numri 2) Ky ka qenë azil politik në Francë, kur është kthyer prej Francës, donin me mbyll në burg serbët me numrin 2, ai ka qenë azil politik, e kemi ble një traktor për me shpëtu këtë prej burgut… Kanë ardhur të shtëpia na kanë bastisë, për numrin dy që ka ardhur prej Francës, e gjetën një aparat të madh e morën serbët atë aparatin. Ne u kemi dhënë para serbëve, nuk u kemi dhënë shqiptarëve në atë kohë.
Ndërsa avokati Tully ka përmendur deklaratat e dëshmitarit, të dhëna ditë më parë në konferencën përgatitore me ZPS-në, por për të njëjtat ai ka thënë se nuk i kujtohen.
Avokati Eric: Ju përshkruani gjendjen pas arrestimit të të afërmit 1. Ju thoni si më poshtë: Jam i interesuar veçanërisht sa i takon terrorit që ekzistonte tek vendasit. Kur u pyet sa i takon pjesës së raportit që thotë që kidnapimi kishte si qëllim të vinte një shembull për të tjerët dhe për të nxitur pak terrorin ndërmjet vendasve, 4368 tha që ai nuk mendon që kidnapimi çoi në frikë, megjithëse disa fshatarë ishin të shqetësuar lidhur me këtë dhe thanë ‘o Zot, mund të më vijë edhe mua radha ndonjëherë’. Pastaj në fund fare thuhet që 4368 tha që ne nuk ishim një familje që mburreshim, dhe qëllimi i tyre ishte t’i ulnin kokën atyre personave si puna jonë. Pyetja ime është kjo, a ju kujtohet të keni thënë këtë?
Dëshmitari: Nuk e kam thënë këtë gjë, nuk më kujtohet.
Avokati: Dëshmitar, kjo ka ndodhur dy ditë më parë, ka dhënë një shënim përgatitor për këtë seancë, prokuroria, dhe kjo është ajo çfarë thuhet në shënimin përgatitore të prokurorisë.
Kjo seancë po karakterizohet me redaktime të shumta si dhe mbyllje për publikun.
Gjithashtu, disa pjesë të dëshmisë së dëshmitarit nuk janë kuptuar për shkak të modifikimit të tepërt të zërit.