Sot përfundon afati që Komuna e Mitrovicës së Veriut u ka dhënë strukturave paralele për lirimin e objektit në Lagjen e Boshnjakëve. Objekti që nga paslufta po përdoret nga strukturat paralele të financuara nga Serbia.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike në vend thonë se Kosova është dashur të ndërtojë një strategji për eliminimin e këtyre institucioneve, derisa theksojnë se që nga paslufta nuk ka pasur ndonjë ide të qartë se si të trajtohen strukturat ilegale.
Shumë qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta. Ndërkohë, sot është afati i fundit që autoritetet e Kosovës ia kanë dhënë katër institucioneve serbe të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë thënë se i përket Komunës së Mitrovicës së Veriut. E njohësit e çështjeve politike në Kosovë, thonë se këto struktura i kanë bërë dëm shtetit të Kosovës, por nga ana tjetër presioni ndërkombëtar ka bërë që Kosova të mos mund të marrë vendime për shpërbërjen e tyre pa u koordinuar me aleatët ndërkombëtarë. Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, tha se Kosova është dashur të ndërtojë një strategji për eliminimin e këtyre institucioneve.
“Kosova është dashur të ndërtojë një strategji për eliminimin e këtyre institucioneve, të paktën atyre të dhunshme, besoj që ka përfunduar deri në një masë të caktuar. Institucionet e tjera, sigurisht që duhet të eliminohen në bashkëpunim me komunitetin serb, të ketë një qasje e cila e ka këtë për mision”, ka thënë Spahiu.
Ndërkohë analisti Artan Muhaxhiri tha për Radio Kosovën se çdo tentim i njëanshëm do të shkaktonte edhe më shumë probleme e do të eskalonte situatën. Ai theksoi se që nga paslufta, asnjë lider i Kosovës dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk kanë pasur ndonjë ide se si t’i trajtojnë këto struktura ilegale, por e kanë lënë që të jenë pjesë e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Të gjitha përpjekjet kanë qenë ose të pafuqishme, ose nuk kanë pasur vullnet politik për ta zgjidhur këtë problem, sepse është krijuar përshtypja që në fund, me marrëveshjen historike ndërmjet Kosovës e Serbisë do të bëhet një zgjidhje. Sa më larg që të jetë marrëveshja finale ndërmjet Kosovës e Serbisë, aq më larg do të jetë edhe zgjidhja e problemit të strukturave ilegale, sepse pa një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk mund të ketë një zgjidhje realiste afatgjate të problemit të strukturave ilegale”, ka thënë Muhaxhiri.
Në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb, komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla e universitete publike, financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë. Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren nuk ka ndodhur. Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si polici e gjyqësi. Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.