Ditë më parë kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me bartësit e ekipeve programore qëndruan në një hotel, në Brezovisë për të të finalizuar “rrugëtimin e ri”, që sipas kësaj partie i duhet Kosovës.
Pas kësaj ngjarjeje, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Programi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ‘Rruga e Re’ po merr formë.
“Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit”, ka thënë mes tjerash kryetari i kësaj partie.
Por, “rruga e re” e LDK-së, nuk po gjen përkrahje në opinion dhe shoqëri. Kjo pasi partia e themeluar nga Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, ka lënë jashtë programit një pjesë të anëtarësisë së vjetër, të figurave që morën pjesën në themelimin e partisë.
Po ashtu, ka pasur kritika të shumta për proceset zgjedhore nëpër degë e nëndegë të partisë.
Këtë situatë e komentoi publicisti dhe njëri nga anëtarët më të hershëm të LDK-së, Skender Zogaj.
Zogaj tha se LDK e ka hapur rrugën e re qysh më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe sipas tij kjo ushtë është është suksesi që gëzon sot populli i Kosovës.
“Kur është bërë një me idealet e një tradite themeltare gjithë popullorë sepse, LDK-ja e ka hap udhën e re më 23 dhjetor 1989, për çlirimin e vendit nga okupatori serb dhe për ecje drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo udhë është suksesi që gëzon sot populli i Kosovës dhe, LDK-ja në vend se të mburret me të dhe të angazhohet për ta forcuar, pastruar, pasuruar, zgjeruar, modernizuar dhe funksionalizuar në dobi të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, bën manovrime diletanteske duke kërkuar rrugë të reja!”, ka thënë Zogaj.
Ai ka shtuar se LDK-ja ka nevojë për reformë të mirëfilltë demokratike, në frymën misionare rugoviane.