Në Samitin e tretë të Diasporës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ende përballen me diskriminim dhe spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative.
Në fjalën e saj, Osmani tha se shqiptarët duhet të bëhen bashkë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Mos harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë u themi edhe sot: ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, prandaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një”, u shpreh Osmani.
Presidentja e Kosovës vlerësoi diasporën shqiptare dhe rolin e tyre në ruajtjen e traditave dhe rrënjëve shqiptare.
“Jam e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin që na mbledh ne shqiptarëve kudo që jemi, aq më tepër samitit që i dedikohet mërgatës shqiptare. Mërgata shqiptare është simbol i forcës së palëkundur të popullit tonë. Pa dëshirën e tyre, shqiptarët janë shpërndarë në të gjithë globin, por duke mbajtur gjallë traditat tona. Shqiptarët kanë lënë gjurmë duke u integruar e arritur suksese në shtete në të cilat emigruan, por duke ruajtur rrënjët e tyre. Mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me vendin e tyre”, deklaroi Osmani.