Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj shoferes Y.B, pasi dyshohet se më 26 shkurt 2024, rreth orës 12:40, në rrugën “Agim Ramadani”, ka shkaktuar aksidentin ku mbeti i vdekur këmbësori SH.H, 26 vjeçar.
E dyshuara gjendet në ndalim që nga dita e aksidentit.
Sipas kërkesës për paraburgim, e dyshuara nga pakujdesia derisa ishte duke vozitur veturën, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut pasi nuk ka përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës.
“Me të arritur përballë Ministrisë së Arsimit te semafori, e njëjta duke vazhduar në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme të automjetit godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja semafori rrezohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerin i ka shkaktuar lëndime të renda trupore, ku si pasojë e lëndimeve, tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes”, përshkruhet në kërkesë.
Me këtë kishte për të kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për caktimin e masës së paraburgimit, sipas prokurorisë janë përmbushur kushti se i dyshimit të bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale, rreziku i arratisjes pasi thuhet se kjo vepër penale ka dënim të lartë andaj edhe e njëjta mund të arratiset, duke treguar se e dyshuara ende nuk është intervistuar.
Tutje, thuhet se është përmbushur edhe kushti i ndikimi në dëshmitar, pasi në vendin e ngjarjes kanë qenë shumë dëshmitar të cilët ende nuk janë intervistuar.
Gjithashtu, prokuroria thotë të jetë përmbushur edhe kushti i përsëritjes së veprës penale, pasi nga pesha penale pasojë e të cilit ka humbur jetën një i ri, nga pakujdesia dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës.
Prokurori thotë se ka vlerësuar edhe masat tjera me të buta alternative për sigurimin e të dyshuarës në procedurë, por që masa e vetëm e sigurimit të saj është paraburgimi.