/

Putini sërish e përmend rastin e Kosovës për të arsyetuar pushtimin e Ukrainës

Russian President Vladimir Putin speaks during a meeting at the Russian Foreign Ministry in Moscow, Russia, Friday, June 14, 2024. (AP Photo/Alexander Zemlianichenko)

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka takuar stafin e lartë të premten në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Gjatë fjalimit të tij në këtë takim, ai tha se liderët në Perëndim po përpiqeshin të gjenin “një lloj baze ligjore” për ngrirjen e aseteve ruse, mirëpo “pavarësisht gjithë mashtrimit, vjedhja është sigurisht vjedhje dhe nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.

Ai gjithashtu nisi një sulm ndaj ShBA-së dhe Evropës, duke thënë se Rusia po shtyhet drejt “pikës pa kthim” të një Lufte të Tretë Botërore bërthamore.

“Egoizmi dhe arroganca e shteteve perëndimore çoi në gjendjen aktuale jashtëzakonisht të rrezikshme të ngjarjeve. I jemi afruar në mënyrë të papranueshme pikës pa kthim. Thirrjet për t’i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë, e cila zotëron arsenalet më të mëdha bërthamore, demonstrojnë aventurizmin ekstrem të politikanëve perëndimorë. Ata ose nuk e kuptojnë shkallën e kërcënimit që po krijojnë ose thjesht janë të fiksuar pas besimit të tyre në pandëshkueshmërinë dhe përjashtimin e tyre. Secila prej tyre mund të çojë në tragjedi”, deklaroi mes tjerash presidenti rus.

“Miragenews” raporton se Putini me këtë fjalim paraqiti pamje selektive të informacionit për të argumentuar rastin e Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Rusia i referohet Luftës Rusi-Ukrainë si një operacion ushtarak special.

Ndër të tjera, presidenti rus përmendi sërish Kosovën për të arsyetuar veprimet e tij në vendet fqinje.

“Në këtë kontekst, ju kujtoj precedentin famëkeq të Kosovës. Është folur shumë herë më parë dhe tani do ta them sërish. Precedenti i krijuar nga vetë vendet perëndimore, duke e njohur ndarjen e Kosovës nga Serbia në vitin 2008 si legjitime në rrethana absolutisht të ngjashme. Më pas erdhi vendimi i njohur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010, bazuar në nenin 1, paragrafin 2 të Kartës së OKB-së, vendosi dhe citoj: ‘Asnjë ndalim i përgjithshëm kundër deklaratave të njëanshme të pavarësisë nuk mund të nxirret nga praktika e Këshillit të Sigurimit’. Dhe citati tjetër: ‘E drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim të zbatueshëm për deklaratat e pavarësisë’. Për më tepër, aty shkruhej se pjesët e një vendi, çdo vendi, që kanë vendosur të shpallin pavarësinë e tyre nuk duhet të kërkojnë leje nga autoritetet qendrore të shtetit të tyre të mëparshëm. Gjithçka është shkruar aty, të gjitha të shkruara nga dora e tyre, e zeza në të bardhë”, tha Putini.

“Pra, a kishin të drejtë këto republika – Donetsk dhe Lugansk – të shpallnin pavarësinë e tyre? Sigurisht që po. Pyetja nuk mund të shqyrtohet në asnjë mënyrë tjetër”, deklaroi shefi i shtetit rus.

Më tej, ai kritikoi pushtetin në Kiev i cili, sipas tij, “injoroi në tërësi zgjedhjen e popullit dhe nisi një luftë në shkallë të plotë kundër shteteve të reja të pavarura – në republikën popullore të Donbasit, duke përdorur aviacionin, artilerinë dhe tanket”.

Presidenti rus, në shumë paraqitje publike, sidomos që nga nisja e luftës në Ukrainë për pushim në shkallë të plotë, e përmend rastin e pavarësisë së Kosovës. Rusia, sikurse edhe Serbia, nuk e ka njohur ende mëvetësinë e shtetit më të ri në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.