Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, tha ushtria serbe.

Në një komunikatë për media, Forcat e Armatosura të Serbisë thanë se ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.

“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në provincë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë.

Ata u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet “bashkëpunimi i mirë”, duke e parë se gjendja e sigurisë në Kosovë “është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme”, sipas njoftimit.

Takimi i tyre vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.