Zëdhënësi i BE-së: Kurti duket se është i vendosur ta hapë Urën e Ibrit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano është deklaruar përsëri lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit.

Në një intervistë për median serbe “N1”, Stano ka përsëritur se vendimi për hapjen e saj duhet të merret përmes dialogut në Bruksel.

Megjithatë, sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se është i vendosur ta hapë urën.

Stano ka thënë se “javën e kaluar, të gjithë miqtë e Kosovës, SHBA, vendet më të rëndësishme dhe Bashkimi Evropian, shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën. Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim. Kjo Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”.

Tutje, ai tha se urat janë për bashkim të njerëzve, por thotë se ajo e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike që duhet të zgjidhet me dialog”.

“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano.

Leave a Reply

Your email address will not be published.