Prokuroria në Ferizaj e konfirmon zyrtarisht se Festim Ramadani e vrau burrin e tezes

Tashmë është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria Themelore në Ferizaj se Festim Ramadani ka vrarë burrin e tezes së tij, Sadri Sadriun. Për rrethanat që mund të kenë çuar deri tek vrasja thanë se janë duke hetuar ende.

Zyrtari policor Ramadani zgjodhi heshtjen si mjet për t’u mbrojtur. Deklaratat e dëshmitarëve, familjarë të Sadriut dhe provat materiale në vendngjarje ishin baza mbi të cilën u vendos që Ramadani dhe Jeton Misini të përfundojnë në paraburgim prej një muaji. Krejt çfarë dihet deri më tani për vrasjen që tronditi të premten Ferizajn.

Festim Ramadani ka zgjedhur heshtjen për të mos treguar për motivin që e shtyu të kryej vrasjen e rëndë të  Sadri Sadriut, të premten mbrëma, në parkingun e një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt, aty ku 89 vjeçari kishte shkuar për ta martuar nipin. Asgjë s’ka të konfirmuar deri më tani, përveç deklaratave të prokurorisë në Ferizaj se vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive të ulëta.

Arben Isufi avokat i Ramadanit i tha sot Gazetës se klienti i tij deri në këtë fazë është mbrojtur në heshtje dhe për këtë arsye as motivi nuk dihet.

“Deri në këtë fazë të mbrojtjes në heshtje, për motivin nuk mundemi me ditë, ne pa u deklaruar ai. Çdo deklarim tjetër është vetëm supozim. Pa u deklaruar ai ne nuk mundemi me përcaktu motivin e kryerjes së veprës”, tha ai.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kanë konfirmuar sot se viktima Sadri Sadriu ishte burri i tezes së Festim Ramadanit.

“Viktima (S.S) dhe i dyshuari (F.R) janë në lidhje familjare, konkretisht, tashmë i ndjeri S.S., ka qenë burri i tezes së të pandehurit F.R.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, ata thonë se rasti është në procedurë hetimore dhe se po tentohet të zbardhen të gjitha rrethanat e veprës penale.

“Rasti aktualisht është në procedurë hetimore dhe Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave rreth kësaj çështje penale”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.

Në ndërkohë, në arsyetimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Festim Ramadanit dhe Jeton Misinit, thuhet se të njëjtit kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe se për t’i lënë të mbyllur  janë marrë parasysh edhe dëshmitë e tre dëshmitarëve, që janë familjarë të Sadriut.

Sipas tyre gjithçka ka ndodhur kur dy vetura janë ndalur në parkingun e një restoranti në Bibaj të Ferizajt, dhe më pas kanë filluar të shtënat në drejtim të Sadriut.

Vërtetohet nga dëshmitë e I.S., A.S., dhe N.S., të cilët mes të tjerash kanë deklaruar se më 16.08.2024, rreth orës 19:20, kanë arritur në vendin e ngjarjes së bashku me të ndjerin kur për një moment me dy automjete të ndryshme kanë arritur Festim Ramadani dhe Jeton Misini dhe posa kanë zbritur Jetoni është vërsulur me teshlicë në dorë, kurse Festimi ka shtënë me armë automatike në drejtim të të ndjerit Sadri Sadiu, i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, rrethanë e cila vërtetohet edhe nga provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes”, thuhet në dokumentin për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve.

Më tutje në po këtë dokument pohohet se dëshmitarët dhe personat tjerë janë në dijeni lidhur me rrethanat që i kanë paraprirë kryerjes së kësaj vepre.

Dhunimi motiv i përmendur për shkaktimin e vrasjes

Sipas raportimeve të mediave, kësaj vrasje i ka paraprirë një konflikt mes dy familjeve mbi dyshimin se 89-vjeçari, Sadri Sadriu, ia kishte dhunuar dy motrat Festim Ramadanit, gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. Asokohe të dyja ishin të mitura (fëmijë) dhe po strehoheshin tek tezja e tyre në Preshevë.

Familja Ramadani, Sadriun e ka paraqitur penalisht edhe në organet ligjore në Serbi, por pa rezultat.

Ndërkohë, në media kanë rrjedhur edhe biseda ku familja Sadriu njoftohej mbi të bëmat e kryefamiljarit.

Pjesë e atyre bisedave ishte edhe presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, që është nip i viktimës.

Një ditë pas vrasjes, kur dolën raportimet për dyshimet për pedofili të Sadri Sadriut dhe se Presidentja dhe burri i saj kanë qenë në dijeni për rastin nëpërmjet një grupi në rrjete sociale ku ishin futur, në një përgjigje për Gazetën shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se “kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”.

Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”.

Më vonë reagoi edhe vetë Osmani duke thënë se mediat po bënin propagandë për të.

“I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi” ka thënë ajo.

Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.

“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje” tha ai.

“Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre” shtoi Kupina.

Postimi i Presidentes nxiti edhe reagimin e Asociacionin të Gazetarëve të Kosovës  të cilët thanë se thirrja e shefes së shtetit që të hetohen mediat për raportim përbën precedent të rrezikshëm.

Presidentja nuk e la më kaq. Polemizoi me AGK’në.

Si ndodhi vrasja, sipas Prokurorisë?

Prokuroria të shtunën ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 89-vjeçarit, kërkesë që u aprovua dje nga Gjykata.

Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R.,  me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Sadri Sadriu është varrosur të dielën në fshatin Lezbali të Preshevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.