Ministrja serbe: Vijat e kuqe të Beogradit për Prishtinën, jo njohjes dhe anëtarësimit në OKB

Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë, Tanja Mishçeviq flet mbi raportet me Gjermaninë, dialogun, Kosovën, liberalizimin, vijat e kuqe në dialog. Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian definitivisht kalon përmes Berlinit, thotë Tanja Mishçeviq. Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë gjatë kësaj jave pati një sërë takimesh në kryeqytetin e Gjermanisë.

Në një intervistë për Deutsche Wellen ajo theksoi se Berlini “është shumë i interesuar për Serbinë, si ekonomikisht ashtu edhe në raportet bilaterale – përmes investimeve të mëdha, sepse një numër i madh i njerëzve në Serbi janë të punësuar në kompanitë gjermane. Ndërkohë që Gjermania ofron edhe ndihma të shumta bilaterale, që janëpadyshim më të mëdhatë çdo vit krahasuar me të gjitha vendet e tjera”. Por ka dhe temat ku dallojnë këto dy vende.

“Vijat e kuqe” të Serbisë

Duke folur për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mishçeviq vlerëson se vizita e fundit e delegacionit amerikan në Beograd ishte “një nxitje për diçka që ka mbetur pa u zbatuar nga Marrëveshja e Brukselit, e që është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. “Kjo nuk është kapriço e Serbisë”, thotë ministrja, “është nevojë urgjente e serbëve si kolektiv që të mbrohen të drejtat e tyre.”

Duke theksuar se ajo nuk është e përfshirë në dialog, Mishçeviq megjithatë deklaron se “Serbia është gjithmonë pro bisedës dhe dialogut. Por me ‘vija të kuqe’ shumë të qarta: JO njohje e pavarësisë dhe JO anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë, Tanja Mishçeviq pohon në intervistën për DW, se Serbia nuk lobon dhe nuk është kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Raportet bilaterale

“Gjermania investon në Serbi pikërisht sepse e sheh atë në rrugën evropiane dhe për shkak se ajo e kupton këtë rrugë evropiane”, thotë Mishçeviq dhe shton, se “Gjermania është edhe një model për Serbinë në shumë fusha – që nga sundimi i ligjit dhe liria e medias, përmes fuqisë dhe stabilitetit ekonomik, e deri tek çështjet që lidhen me tranzicionin e gjelbër dhe diversifikimin e energjisë.”

E pyetur se si janë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Berlinit sot dhe nëse ato janë më të këqija pas ardhjes në pushtet të koalicionit të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, ministrja u përgjigj, se nuk mendon se marrëdhëniet janë përkeqësuar. Por nënvizon se çështjet, si për shembull, dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i formësojnë fuqishëm marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Serbisë. “Fokusi tani është te dialogu dhe fusha të tjera, tek reformat që janë menjëherë pas kësaj teme.”

Sanksionet kundër Rusisë?

“Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë në asnjë mënyrë as situatën e re gjeostrategjike të shkaktuar nga lufta në Evropë, luftën në Ukrainë, e cila po ashtu është një nga elementët e dallimeve në qëndrime mes Serbisë dhe Gjermanisë”, theksoi Mishçeviq.

Duke iu përgjigjur pyetjes, se pse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë dhe në këtë mënyrë harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, ministrja thekson se ky është vetëm një nga elementet e politikës së jashtme dhe kujton se “Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe dënon agresionin rus.”
“Ne u përballëm me këto kritika edhe gjatë vizitës këtu në Berlin dhe shpjeguam se ka arsye (për të mos vendosur sanksione) që lidhen me dialogun, ka arsye që lidhen me varësinë e plotë nga gazi dhe nafta ruse. (…) Dhe gjëja e tretë e rëndësishme është qëndrimi emocional i qytetarëve që e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh nën sanksione”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.