Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka ngritur dyshimet se në seancën e Kuvendit ka pasur zëra që deputetët e Listës Serbe do të vinë në sallë dhe të votojnë pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Basha u shpreh se po dëshiron që ta shohë ‘koalicionin e gjerë’ të partive opozitare me Listën Serbe.
“Nëse doni me i nderu mjekët dhe mësuesit, do ta shini me ligjin e pagave, që do të nderohen. Dhe jo me Trust. Ligji i pagave do të hyjë në fuqi shpejt”.
“Këtu u përmend se Lista Serbe do të vjen për me ua përkrah Trustin. Po kam qejf me iu pa se është koalicioni aq i gjerë sa ka kalu te Lista Serbe. Sigurisht po mendoj që u shpërfaq ajo që po e boni për vota”, shtoi Basha.
Deputetët e Kuvendit shkuan në pushim. Seanca do të vazhdojë më 15:30, njoftoi kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Pas orës 10:00 kur edhe filloi seanca e gjer më tani, ka pasur diskutime e kritika të ashpra mes pushtetit dhe opozitarëve për çështjen e Trustit.
Për dallim nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër që të mundësohet tërheqja e 30% të mjeteve nga Trusti.