23 vjeçari inskenoi dhe lajmëroi rrejshëm grabitjen

Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, sot është intervistuar një person për veprën lajmërim apo kallëzim i rrejshëm.

Sipas zëdhëndëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, pas zhvillimit të hetimeve, ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe sigurimit të provave të tjera, në lidhje me rastin e grabitjes raportuar me datën 16 janar, nga hetuesit është vërtetuar se ankuesi ka inskenuar rastin dhe aksidentin dhe i njëjti i ka lajmëruar rrejshëm.

“Sot pas intervistimit, në koordinim me prokurorin e shtetit, është bërë rikualifikimi i veprës, dhe ndaj personit të dyshuar A.M, mashkull 23 vjeç, është inicuar rast për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm”, tha ajo.

I dyshuari më 16 janar në rrugën “Hazir Haxholli”, në Prishtinë, ka njoftuar policinë se është ndaluar në rrugë nga tre persona të dyshuar të panjohur dhe në kërcënimin e armës i kanë marrë makinën, para të gatshme dhe një telefon celular.

Pas kryerjes së veprës të dyshuarit me veturën e viktimës kanë ikur nga vendi i ngjarjes duke u aksidentuar në rrethojën e një kompanie private ku e kanë braktisur veturën. Rasti nën hetime nga njësitë relevante.

Leave a Reply

Your email address will not be published.