​Gjykatat në veri pothuajse të bllokuara

Gjendja aktuale e gjyqësorit në veri është pothuajse e bllokuar. Pas largimit të serbëve nga institucionet nuk ka staf të mjaftueshëm, ndërsa çështja duhet të zgjidhet vetëm përmes dialogut.

Kështu u tha sot në veri të Mitrovicës, gjatë një diskutimi publik mbi gjyqësorin në veri të vendit, pas ngjarjeve të fundit atje, që u organizua nga OJQ ‘Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike’(ACDC).

Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i ACDC-së në veri të Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se gjendja aktuale në gjykata në veri, është e keqe.

Ai duke përmendur shifra, tha se gjithsej 130 punonjës serbë vetëm në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, e kanë braktisur punën, duke përfshirë këtu edhe gjykatën për kundërvajtje në jug të qytetit.

Radakoviq konsideron se zgjidhja e këtij problemi duhet të arrihet përmes politikës, përkatësisht dialogut.

Radakoviq: 130 persona serbë të larguar nga Gjykata në Mitrovicë

(video)

“Janë larguar 130 persona serbë nga Gjykata, nga Prokuroria 36 dhe nga Gjykata e Apelit-Divizioni në Veri, janë 15 persona të cilët janë jashtë institucioneve gjyqësore të Kosovës… Definitivisht situata aktuale në Gjykata në veri është e keqe. S’ka staf punonjës të mjaftueshëm, 130 persona serbë të larguar nga Gjykata në Mitrovicë është shumë, gjysma e stafit të përgjithshëm nuk është duke punuar… Definitivisht (kjo situatë duhet të zgjidhet v.j.) përmes politikës dhe dialogut. Tani sistemi është krejtësisht i bllokuar, komuna, policia, gjykata”, ka thënë Radakoviq.

Aleksandar Rapajiq, drejtor i programit ‘Rritja e transparencës dhe sundimit të ligjit në komunat me shumicë serbe në Kosovë’, që zhvillohet në kuadër të kësaj organizate, theksoi se integrimi i sistemit gjyqësor në veri të Kosovës është rrëfimi më i mirë i marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij, rezultati më i madh i arritur ka qenë besimi i krijuar në mesin e komunitetit serb ndaj institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Rapajiq: Besimi i serbëve në gjykatat e Kosovës në veri është lëkundur

(video)

“Integrimi i sistemit gjyqësor në veri të Kosovës mendoj se është rrëfimi më i mirë i marrëveshjes së Brukselit dhe rrëfimi më i mirë i komplet marrëveshjes së integrimit në kuadër të procesit të Brukselit… Vërtetë bëhet fjalë për profesionistë seriozë, të cilët kanë kryer punën e tyre…Dhe, kjo pati filluar të jap rezultate serioze. Rezultati më i madh është besimi i krijuar në komunitetin serb ndaj këtyre institucioneve gjyqësore, e cila tani fatkeqësisht është lëkundur… Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm si me njerëzit të cilët kanë braktisur Gjykatën, po ashtu, edhe me ata të cilët kanë vazhduar të punojnë. Më besoni, gjatë bisedave me ta vërehet sa i mirë ka qenë ky integrim, dhe si ata vërtetë kanë punuar bashkë si kolegë. Ne kemi vizituar gjykatën në veri, asgjë s’ka lëvizur.. absolutisht gjithçka ka mbetur ashtu siç e kanë lënë serbët që kanë punuar aty, askush nuk i ka marrë zyrat e tyre, apo diçka tjetër ngjashëm, dhe punëtorët shqiptarë sikur po presin që të kthehen serbët për të vazhduar punën së bashku si më parë”, u shpreh Rapajiq.

Ndryshe, pjesëmarrësit në këtë diskutim parashtruan pyetje të ndryshme rreth problemeve dhe sfidave të gjyqtarëve dhe stafit tjetër, për të cilat thanë se duhet zgjidhur sa më parë për të mirën e qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.