Një 48-vjeçar është vrarë mbrëmë në Kaçanik. Policia ka informuar se burri është gjetur pa shenja jete në një automjet të udhëtarëve në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka , ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.”, ka bërë të ditur Policia.
Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, trupi i pajetë i viktimës N.C (M/K) i moshës 48-vjeçar është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Ekipe të Policisë Rajonale të Ferizajt, nga sektorë të ndryshëm, sipas komunikatës, po punojnë vazhdimisht në grumbullimin e informacioneve në terren për të zbardhur sa më shpejtë rastin.