Ish-zyrtarja e Gjendjes Civile në Komunën e Vushtrrisë, Hamide Uka, në seancën e shqyrtimit fillestar të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e ka pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke thënë se për shkak të ngarkesës dhe volumit të madh të punës nuk ka respektuar procedurat ligjore për regjistrimin e një personi civil.
Deklarimin rreth fajësisë, e akuzuara Uka e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava dhe njoftimit të saj me të drejtat e saj, si dhe pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E akuzuara tha se ka ndodhur lëshim, për shkak të ngarkesës dhe volumit të madh të punëve që kishte pasur.
Kështu, prokurori Tmava i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës pasi që ky deklarim është bërë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me shkresat e lëndës.
Gjyqtari i rastit, Mentor Hajraj deklaroi se paraprakisht kanë kontaktuar me Odën e Avokatëve të Kosovës për të refruar një mbrojtës për të akuzuarën Uka, pasi e njëjta e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të angazhojë mbrojtës për shkak të kushteve ekonomike. Andaj, ia ka caktuar të akuzuarës mbrojtës sipas detyrës zyrtare, avokatin Ali Rexha.
Kurse, avokati Rexha i propozoi gjykatës që të pranojë pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturës së tij, pasi është konsultuar mjaftueshëm me të njëjtën si dhe ky pranim është në përputhje me shkresat e lëndës.
Më pas, gjyqtari Hajraj aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës.
Kurse, me rastin e matjes së lartësisë së dënimit, avokati Rexha i propozoi gjykatës që si rrethanë veçanërisht lehtësuese për matjen e lartësisë së dënimit të marrë faktin se e njëjta është person i shtyrë në moshë, ka probleme shëndetësore, është pensioniste, e gjendjes së dobët ekonomike dhe nuk është e dënuar më parë.
Gjyqtari Hajraj konstatoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 4 prill 2023.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 24 maj 2022, ka ngritur aktakuzë kundër Hamide Ukës, me arsyetimin se më 6 maj 2019 duke shfrytëzuar pozitën zyrtare ose autorizimin, ka tejkaluar kufirin e autorizimit të saj, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, gjegjësisht për personin Alban Basha.
Sipas aktakuzës, e njëjta në ditën e lartpërmendur, si zyrtare për regjistrimin civil të banorëve në Komunën e Vushtrrisë, me qëllim të regjistrimit në sistemin elektronik, ka futur të dhëna për personin Alban Basha, ndërsa nuk e ka respektuar procedurën lidhur me regjistrimin dhe lëshimin e ekstraktit të lindjes, e as procedurën e verifikimit dhe Udhëzimit Administrativ për regjistrimin civil, sepse nuk e ka bërë vështrimin në të gjitha librat, e as nuk e ka siguruar dokumentacionin e fotokopjuar, sipas procedurës e cila parashihet për regjistrimin e civilëve, e që ishte e obliguar ta bëjë para se të fillojë ekzekutimin e çfarëdo veprimi zyrtar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.