Lajmi se katër turistë italianë kanë dalë nga një restorant në Berat pa paguar faturën e ushqimit që kishin ngrënë, ka bërë bujë të madhe.
E, pas lajmit se fatura është paguar, madje është paguar nga Italia me urdhër të kryeministres Giorgia Meloni, lajmi ka bërë edhe më shumë bujë.
“Kur isha në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ma tregoi ngjarjen e katër italianëve që ikën nga një restorant lokal pa paguar faturën. Shefi i restorantit, pasi imazhet nga arratisja e tyre u bënë virale, ka thënë se ishte i lumtur sepse ata hëngrën mirë dhe ishin të lumtur. Unë u turpërova, sepse Italia që dua ta përfaqësoj nuk është një vend që për të flitet për gjëra të tilla, që nuk respekton punën e tjetrit, që mendon se është qesharake të mashtrosh të tjerët. Kështu që vendosa t’i kërkoj ambasadorit ta shlyej faturën, të cilën e pagova vetë. Asgjë e madhe, në fakt as nuk e raportova”, ka shkruar Meloni.