Peach: Është urgjent vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi

I dërguari i Britanisë së Madhe për dialogun në Kosovë-Serbi, Stuart Peach, ka deklaruar se përkrah rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Britania është në bisedë të vazhdueshme me të dyja palët në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mbështesim fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë moment ne vazhdojmë të mbështesim thirrjet e Bashkimit Evropian për depërshkallëzim. Këtë e kam bërë vetë gjatë vizitave të mia dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me dialogun. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmëshekullore në ushtri, është gjithmonë mirë të flasësh”, ka deklaruar Peach për N1, transmeton rtklive.

Peach ka bërë thirrje për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore.

“I bëjmë thirrje të dyja palëve që të depërshkallëzojnë situatën, të kthehen serbët e Kosovës në institucione që të ketë ekuilibër dhe drejtësi në polici. Të kthehen sa më shpejt në aktivitetin normal të policisë dhe të mundësohet që demokracia të zërë rrënjë realisht në nivel lokal, me çka nënkuptoj zgjedhjet lokale. Ne presim përgjigjen më të madhe të mundshme dhe që të gjitha partitë të marrin pjesë në ato zgjedhje lokale”, ka deklaruar Peach.

Leave a Reply

Your email address will not be published.