​Agim Idrizi dëshmitar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, paraqitet pa masa mbrojtëse

Dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokuronit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve është Agim Idrizi nga komuna e Kaçanikut.

Ai po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe po intervistohet nga prokuroi James Pace.

Sipas Speciales ai do të dëshmojë lidhur me rrëmbimin që ai pretendon se i është bërë nga pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1999.

Prokurori James Pace ka lexuar një përmbledhje të deklaratave të dëshmitarit të cilat ai i ka dhënë më herët.

Në dëshminë e tij ai pretendon se në mars të vitit 1999, nga pjesëtarë të UÇK-së, është marrë nga shtëpia e tij dhe dërguar në fshatin Biqec.

Dëshmitari kishte deklaruar se në atë periudhë kishte shitur dru për policë serbë.

Ai ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dëshmitari 4018 është një shqiptar i Kosovës që është marrë nga disa anëtarë të UÇK-së në mars 1999 nga shtëpia e tij dhe është dërguar në Biqeq. Para se të ndalohej, dëshmitari ka shitur dru për disa serbë, policë serbë, ai e ka mbështetu UÇK-në por nuk është kyçur asnjëherë në UÇK. 04018 së bashku me tre të ndalurit e tjerë, së pari janë dërguar në një bunker pastaj të një shtëpi. 04018 dhe të ndalurit e tjerë janë rrahur keq nga anëtarët e tjerë të UÇK-së. Ai dhe të ndalurit e tjerë nuk kanë marrë asnjë as ushqim të mjaftueshëm dhe nuk u është thënë se cilat kanë qenë arsyet e ndalimit të tyre”, ka lexuar prokuroi James Pace.

Sipas kësaj dëshmie, Idrizi ishte marrë në pyetje lidhur me një listë që përfshinte emrat e disa shqiptarëve.

Ai pretendon se nga fshati Bob, bashkë me katër persona të tjerë sipas tij të ndaluar, janë transferuar me këmbë në një tjetër vend.

Sipas dëshmisë së tij, ai është marrë në pyetje edhe lidhur me kontaktet që ka pasur me serbët.

“Më 8 mars 1999 të ndalurit janë dërguar në Kukaj ku të ndaluarit të gjithë janë liruar pasi kanë mbërritur aty me përjashtim të 04018. 04018 së bashku me persona të tjerë janë transferuar në Kaçanik me këmbë, gjatë natës. Atje të gjithë të ndalurit kanë mbajtur me duar të lidhura. Për tre ditë dëshmitari 04018 është detyruar të flejë jashtëm e temperatura shumë të ulta. 04018 dhe katër të ndaluarit e tjerë janë transferuar më këmbë ku janë mbajtur pa ushqim dhe ujë, dhe janë rrahur shumë keq. 04018 kishte shenja të rrahjeve. Dëshmitari është marrë në pyetje për kontaktet që kishte pasur me serbët para se të ndalohej”, ka thënë prokuroi Pace.

Dëshmitari pretendon se një natë para se të ndaleshin, ata janë rrahur individualisht.

“Një natë para se të ndaloheshin, të ndaluarit janë rrahur individualisht. 04018 është futur në gepekun e një automjeti dhe pati mundësi të largohej kur u përmbys automjeti. Abuzimi fizik dhe psikologjik që 04018 ka vuajtur gjatë ndalimit nga UÇK, i ka lënë atij gjurmë edhe sot e kësaj dite”, ka thënë Pace.

Agim Idrizi është paraqitur në gjykatore pasi ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të njëzetë të ZPS-së.

Ai do të vazhdojë dëshminë e tij nesër para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published.