FC Prishtina ka marrë njoftimin për orarin e zhvillimit të ndeshjes së javës së pestë të Albi Mall Superliga e Kosovës ndërmjet Prishtina – Liria që zhvillohet të dielën më 17 shtator nga ora 15:00.
“Ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin, “Fadil Vokrri”. Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre. Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës. Ftojmë tifozerinë tonë që numër sa më të madh të jetë në përkrahje të klubit të zemrës. Çmimi i biletave është 3 euro në tribunën perëndimore, 2 euro në tribunën lindore dhe 1 euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, Plisat “ thuhet në njoftim.