Nëse ke konsumuar 15 cigare në ditë për 15 vite me radhë, mjekët thonë se mund të jesh një pacient i prekur me kancer të mushkërive, pasi kjo sëmundje lidhet me duhanpirjen.
Nëse më parë njihej si sëmundje që prekte vetëm meshkujt tashmë por prek shumë edhe femrat, pasi është rritur numri i vajzave që pinë duhan e aq më tepër në moshë të re.
Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri ka raportuar për 800 raste të reja të prekur çdo vit nga kanceri i mushkërive, por Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimit për Kancerin, Globocan, të cilës i referohet edhe Organizata botërore e Shëndetësisë raporton për afro 1100 raste të reja në vit dhe 960 humbje jete.
Regjistri kombëtar i pacientëve me kancer grumbullon të dhëna nga spitali Shefqet Ndroqi, Shërbimi Onkologjik dhe spitalet private, por ka shumë raste të cilët diagnostikohen dhe trajtohen në spitale jashtë vendit e nuk reflektohen.