Një raport i ri përpara Ditës Botërore të Kancerit thekson barrën në rritje të kancerit në nivel global.
Sipas mediave të huaja, numri i rasteve të reja të kancerit në Evropë vlerësohet të rritet me 22.5 për qind gjatë dy dekadave të ardhshme, sipas vlerësimeve të reja nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimet rreth Kancerit (IARC).
Kjo është pasi numri i diagnozave të kancerit pritet të rritet me 55 për qind globalisht midis 2022 dhe 2045, nga afërsisht 19.9 milionë raste kanceri në vitin 2022 në 30.9 milionë raste në vitin 2045.
Vlerësimet e reja u publikuan përpara Ditës Botërore të Kancerit më 4 shkurt dhe theksojnë “barrën në rritje” të kancerit dhe nevojën për të adresuar pabarazitë e kancerit, sipas IARC, agjencia e kancerit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ndërkohë, ndër faktorët që po kontribuojnë në rritjen përfshijnë plakja, duhani, alkooli dhe obeziteti si dhe ndotja e ajrit, tha agjencia.
Aktualisht, rreth një në pesë njerëz përballen me kancer gjatë jetës së tyre, ndërsa rreth një në nëntë burra dhe një në 12 gra vdesin prej tij.
Në këtë drejtim, thuhet se me rritjen e incidencës së kancerit, vdekshmëria nga kanceri do të rritet gjithashtu nga rreth 9.7 milionë njerëz në 2022 në 16.6 milionë njerëz globalisht në 2045.
Numri i vdekjeve nga kanceri në Evropë mund të rritet me 32 për qind, sipas analizës së re.
Veç këtyre, theksohet fakti se në Evropë, lloji më i zakonshëm i kancerit është kanceri i gjirit, i ndjekur nga kanceri i prostatës, sipas vlerësimeve të vitit 2022 nga IARC, agjencia e kancerit e OBSH-së.
Ndërsa shkaqet më të zakonshme të vdekjes nga kanceri në BE janë kanceri i mushkërive, kolorektalit dhe gjirit, sipas shifrave të BE-së.
“Në një kohë kur financimi i shëndetësisë është nën presion në rritje në të gjithë Evropën, ne rrezikojmë të zhbëjmë dekada të progresit për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e miliona njerëzve”, ka thënë në një deklaratë Dr Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën.
Ndërsa një raport i ri nga Unioni për Kontrollin Ndërkombëtar të Kancerit (UICC), i publikuar gjithashtu këtë javë, zbuloi se ka pabarazi të theksuara në Evropë për sa i përket qasjes në kujdesin ndaj kancerit.