Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Adem Demaçin dhe Astrit Deharin me rastin e ditëlindjes së tyre.
Kurti ka thënë se Dehari dhe Demaçi kanë të përbashkët, ditëlindjen e tyre, duke shtuar se sot po i kujton të dy së bashku.
“Kur u lirua Adem Demaçi nga burgu i tretë më 21 prill 1990, Astrit Dehari ishte foshnje as dymuajshe. Atë kohë Adem Demaçi ishte 54 vjeçar dhe me Astrit Deharin nuk do ta lidhte kurrë asgjë, sikur Astriti të mos bëhej aktivist politik kur të rritej. Por përveç kësaj, Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë një të përbashkët rastësore, për çfarë dhe po i kujtojmë sot të dy së bashku. Ata e kanë ditëlindjen në të njëjtën datë, më 26 shkurt. Nëse ende do të ishin mes nesh, sot Baca Adem do të bëhej 88 vjeç, kurse Astriti do t’i mbushte 34 vite jetë. Por fati i tyre ishte i atillë që Adem Demaçi i kaloi 28 vite në burg, kurse Astrit Dehari ishte ende vetëm 26 vjeçar kur u mbyt në burg”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Tutje, Kurti është shprehur se Demaçi ka ndjekur këshillën e nënës së tij duke qëndruar i lidhur dhe i pakëputshëm me Shqipërinë, gjatë proceseve gjyqësore politike dhe gjatë 28 viteve të kaluara në burgjet jugosllave.
“Adem Demaçi e ndoqi këshillën e nënës së tij, duke qëndruar i lidhur pashkëputshëm me nënën Shqipëri edhe gjatë proceseve gjyqësore politike, edhe gjatë 28 viteve të kaluara nëpër burgjet jugosllave, edhe kur e mori Çmimin “Sakharov”, edhe kur e drejtoi Zyrën Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, ku pata fatin të punoja bashkë me të. Një disident i pathyeshëm, një adhurues i Hegelit që leximet i shoqëroi me praxis politik, një shkrimtar shumë origjinal dhe një simbol i rezistencës dhe i përpjekjes për liri, Adem Demaçi është një personalitet krejt unik në historinë politike të Kosovës dhe të shqiptarëve”, është shprehur Kurti.
Ndërsa, për Deharin ai ka thënë se ishte një student i shkëlqyer i mjekësisë, aktivist me vetëdije të qartë politike dhe shok shembullor, i cili vdiç në rrethana ende të paqartësuara.
“Nën shembullin e Bacit Adem dhe shpesh e përkrahur prej vet tij, që nga viti 2005, Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte organizata politike që prodhoi një gjeneratë të re aktivistësh politikë, mes të cilëve ishte edhe Astrit Dehari. Student i shkëlqyer i mjekësisë, aktivist me vetëdije të qartë politike dhe shok shembullor, Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të pasqaruara dhe të paadresuara plotësisht nga drejtësia, në një kohë kur regjimi politik që qeveriste me vendin tonë, nuk zgjedhte metodë për ta penguar afrimimin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe jetësimit të ideve tona politike në Republikën e Kosovës. Astrit Deharin do ta kujtojmë në çdo ditëlindje, për ta mbajtur të gjallë shembullin e jetës së tij prej aktivisti të kulluar politik dhe për ta kujtuar të kaluarën që na ka sjellur deri këtu”, ka thënë tutje Kurti.
Kurti ka uruar të dy për ditëlindje me fjalët “Urime ditëlindja e disidentit të pathyeshëm Adem Demaçit dhe e aktivistit shembullor Astrit Deharit!”.