/

Kurti: Kërcënimit ndaj sigurisë nga Serbia, BE-ja dhe NATO-ja duhet t’i përgjigjen me anëtarësimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka theksuar se Serbia vazhdon pengimin e përparimit të rajonit në integrimin evropian, ka thënë se është e nevojshme për vendet perëndimore të reagojnë, duke e çuar Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Kurti ka thënë se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga Serbia.

“Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë…Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me po të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalën e tij në konferencën me temën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, Kurti gjithashtu ka përmendur lidhjen midis pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe nxitjes së autokracisë në Serbi.

Ai ka denoncuar agresionin serb ndaj Kosovës, duke theksuar ushtrimet ushtarake dhe sponsorizimin e terrorizmit, si dhe përdorimin e narrativave të rreme për të përçarë opinionin ndërkombëtar.

“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka theksuar se dialogu dhe gjithëpërfshirja janë thelbësore për të shpëtuar nga dallimet politike dhe pabarazitë socioekonomike.

“Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithëpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, ai ka theksuar se përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga të gjitha fuqitë.

“Diplomacia parlamentare është e nevojshme sot më shumë se kurrë. Rruga drejt bashkëpunimit rajonal ka edhe pengesat e veta. Ka ende hatërmbetje historike të cilat shpeshherë rrezikojnë që të na ndajnë. Ideja që disa etni, raca dhe grupe janë superiore ndaj të tjerave është një paragjykim i vjetër”, ka deklaruar mes të tjerash ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se shtetësia e Kosovës ka kaluar në procese diplomatike të ndryshme, duke e quajtur vetëkrijim të vendit, një arritje e mundur falë përpjekjeve diplomatike.

Konjufca, gjithashtu, ka përmendur angazhimin e Kuvendit të Kosovës në forcimin e bashkëpunimit diplomatik me trupa të rëndësishëm evropianë.

Ai ka shtuar se po punojnë për të rritur kapacitetet e deputetëve dhe të stafit parlamentar mbështetës, duke promovuar një bashkëpunim të ngushtë ndërparlamentar me vende të rajonit dhe më gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.