Gjykata e Prishtinës më 26.03.2024 ka nxjerrë aktgjykimin e arsyetuar me të cilin Glauk Konjufcën e ka liruar nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016, gjatë një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Lirimin nga akuza Gjyqtarja, Edita Çanta në shpallje të aktgjykimit e kishte arsyetuar me mungesën e provave të paraqitura nga prokuroria.
Shpallja e aktgjykimit ishte bërë më 26.02.2024.
Vetëm se një person gjendet pranë një mjeti me të cilin është kryer krimi, nuk mund të supozohet se ai person është automatikisht kryerësi i veprës penale, thotë arsyetimi i Gjykatës së Prishtinës.
Këtë arsyetim gjykata e ka dhënë në pretendimin e prokurorisë se gazi lotsjellës ishte gjendur në vendin ku ishte i ulur Glauk Kojufca.
“Nuk mund të presupozohet se në vendin ku gjendet një mjet i krimit, emri i personit që gjendet pranë saj është automatikisht kryerësi i veprës penale, siç pretendon prokuroria”- thotë arsyetimi.
Sipas Gjykatës nuk mund që të gjithë vendimmarrjen mbi këtë lëndë ta jap mbi një provë të tillë (gjetja e bombolës së gazit pranë vendit ku kishte qëndruar Glauk Konjufca, duke mos u shoqëruar me prova të tjera.
Gjykata ka konstatuar se nga prova e paraqitura nga prokuroria nuk ka arritur të argumenton lidhjen e qartë mes të akuzuarit dhe përdorimit të mjetit. Shto kësaj, që sipas gjykatës, prokuroria nuk ka paraqitur vërtetimin për sekuestrimin e provave, në këtë rast të gazit lotsjellës.
“Mungesa e vërtetimit dhe sekuestrimit po ashtu nuk vërteton vlerën provuese dhe arsyetimin dhe pretendimin e prokurorisë se provat e lartcekura janë sekuestruar në mënyrën dhe aspektin provues që do të provonin se i akuzuar ka lidhje kauzale dhe përgjegjësi penale për gjendjen faktike, siç është në aktakuzë”- thotë Aktgjykimi i Gjykatës.
Gjykata në fund, për lidhshmërinë e përdorimit të gazit lotsjellës nga i akuzuari ka konstatuar se në asnjë moment nuk është vërtetuar përdorimi i armës nga i akuzuari, qoftë edhe me anë të një konstatimi daktiloskopik.
Gjykata tutje në aktgjykim ka elaborat edhe dëshmitë e dëshmitarëve që kanë dëshmuar lidhur me këtë rast, e që ishin: Adem Grabovci, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq dhe të tjerë.
Sipas Gjykatës, asnjë nga dëshmitarët me dëshmitë e tyre nuk e kanë inkriminuar të akuzuarin, për hedhje të gazit lotsjellës.
“Asnjë nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar të akuzuarin për veprën penale”- thuhet në aktgjykim.
Sipas Gjykatës, prokuroria në fjalën përfundimtare nuk i ka kundërshtuar dëshmitë e dëshmitarëve, por kishte tentuar që të arrij në konkluzionet fajësuese ndaj të akuzuarit me këto dëshmi.
Konjufca për këtë rast pos hedhjes së gazit lotsjellës akuzohej edhe për veprën penale pengim i personit zyrtar.
Kjo vepër kishte arritur vjetërsimin (parashkrimin absolut). Vepër për të cilën, gjykata nuk ka mundur të marrë asnjë vendim pasi me parashkrim absolut, gjykata nuk mund të procedoj tutje me gjykim për atë vepër penale.
Glauk Konjufca më 26.02.2024 ishte liruar nga akuzat për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale pengim i presonit zyrtar gjykata kishte nxjerrë aktgjykim refuzues.
Sipas aktakuzës së tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Më 21.02.2024, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje para Gjykatës së Prishtinës gjatë dhënies së mbrojtjes së tij nën akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës.