Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë një reagim lidhur me rezultatet e sondazhit të “UBO Consulting”, që u publikuan mbrëmë, sipas të cilave Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 49.5 përqind, PDK’ja e dyta me 17.1 përqind dhe LDK’ja e treta me 16 përqind.
“Mbajeni në mend, sa herë që ka një krizë, qeverisë i vjen një sondazh i ri. Herën e kaluar në ditën e faturave dyfysh të energjisë elektirke, këtë herë në periudhën e shpërfaqjës së korrupcionit përmes kontratave sekrete e pazareve në katër sy. Duan të paraqesin një realitet tjetër – fiktiv. Të na thonë se ne jemi vet. Se shumica është me ata – të kënaqur si dikur”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka marr shembull sondazhin për zgjedhjet lokale, sipas të cilit, Arben Vitia dilte i pari e Uran Ismaili i dyti, por në fund zgjedhjet i kishte fituar Pëparim Rama i LDK’së, që renditej i treti.
“Kur flasim për sondazhe kujtoni vetëm pak zgjedhjet lokale. Gjithë ekzaltimin e pushtetit atëherë, gjithë ‘kredibilitetin’ e matësve – një natë para zgjedhjeve. Fundin e dini të gjithë”, ka shkruar Bajrami.