/

Një muaj paraburgim për kosovarin/ shtetas britanik që u arrestua në kufi, Kosova njofton QUINT’in në Serbi

Sadik Durakut nga fshati Demjan i Gjakovës i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd, nën dyshimin se ka kryer krime lufte gjatë vitit 1999 në Kosovë. Duraku që është edhe shtetas britanik u arrestua të mërkurën, gjatë një aksioni të policisë serbe në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, Batrovci. Përveç tij, atë ditë u ndaluan edhe disa persona tjerë, përfshirë disa zyrtarë policorë

Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, Sadik Durakut nga fshati Demjan i Gjakovës. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme vendimi është marrë sot, pasi Prokuroria për Krime Lufte në Beograd, po pretendon se Duraku ka kryer krime lufte.

Ai u arrestua të mërkurën në kufirin Kroaci-Serbi.

“Sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. A i ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale. Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Gazetën Express.

Tutje, ata thonë se Duraku nuk është në gjendje të mirë shëndetësore sipas njoftimit nga familjarët.

“Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Familjarët e z. Duraku kanë theksuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe avokati mbrojtës ka konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për gazetën.

Tashmë, ambasadori Jetish Jashari ka kërkuar nga autoritetet serbe që të japin sqarime për arrestimin e Durakut.

Poashtu kërkesë e tij ka qenë edhe lejimi i vizitës, ndërsa ka kontaktuar edhe QUINT’in

“Ndërkohë, Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të z. Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse. Ambasadori Jashari poashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin. Ambasadori Jashari poashtu ka bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për lejim të vizitës së tij e cila pritet të realizohet ditët në vijim”, thonë nga MPJ-ja për Express.

Përveç Durakut, të mërkurën në pikëkalimin kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe atë të Serbisë dhe Hungarisë janë ndaluar qindra shtetas të Kosovës që po kalonin nga Serbia. Atyre u morën dokumentet dhe për më shumë se 15 orë nuk iu kthyen.

Shteti serbë ndaloi disa qytetarë, përfshirë edhe zyrtarë policorë. Madje zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq u dërgua për ndalim në Rashkë.

Për këtë veprim të Serbisë kishte reagime të shumta përfshirë edhe nga ndërkombëtarët.

E tërë kjo ngjarje u pa si hakmarrje e Serbisë për votimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published.