Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Zhur të Prizrenit, ku një person dyshohet se ka rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij.
DTV mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja bashkë me vajzën e mitur kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.
Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar por nuk ka arritur ta arrestojë të dyshuarin pasi i njëjti është arratisur.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarit.