Protestojnë ish-punëtorët e “Rilindjes”

Ish-punonjësit e NGB “Rilindja” kanë protestuar për mos realizimin e të drejtave për 20 përqindëshin, para objektit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ata thonë se AKP-ja po i diskriminon ata duke mos e bërë pagesën e një pjese të mjeteve që qeveria i ka ndarë për punëtorët e “Rilindjes”.

Në protestën simbolike, këta punëtorë kërkuan që të realizohet edhe 20 përqindëshin nga trualli, sepse sipas tyre bashkë me objektin, qeveria i ka marrë 5.5 hektarë truall.

Zeqir Bekolli tha se ndër kërkesat e tyre është edhe lirim i objekteve të uzurpuara në Tiranë.

Ai potencoi se AKP-ja duhet paguar kontributet për periudhën pas viteve të 90-ta.

“Sot kemi dalë ta shprehim pakënaqësinë tonë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit në raport me ‘Rilindjen’, sepse këta po vazhdojnë të na diskriminojnë. Vazhdojnë të mos e bëjnë pagesën e një sasie të mjeteve që qeveria i ka derdhur për nevojat e 20 për qindëshit për punëtorët e ‘Rilindjes’. Madje, ne kërkojmë që të realizojmë edhe 20 përqindëshin nga trualli, sepse bashkë me objektin qeveria i ka marrë 5.5 hektarë truall. Ne kërkojmë që të na lirohet pasuria që e kemi në Tiranë, objektet që janë uzurpuar, edhe këtë mund ta bëjë AKP-ja, sepse tash është në kompetencë të AKP-së. Po ashtu, kërkojmë nga AKP-ja të na i paguajë kontributet për periudhën pas viteve të 90-ta, kur kemi punuar, meqë i ka marrë të gjitha obligimet për “Rilindjen”, atëherë u takon që t’i paguajnë kontributet dhe të marrim pensionin e plotë”, tha Bekolli.

Ish-punonjësi tjetër i “Rilindjes”, Avdullah Zeneli tha se kjo protestë simbolike le të shërbejë në ndërgjegjen e atyre që po udhëheqin shtetin.

“Sigurisht idealet e një brezi që mbajtën gjallë gazetarinë, mbajtën gjallë botimet, revistat, shtetin i cili bëhej në gjithë Kosovën, mbajtën gjallë diasporën me degët tona në Zvicër dhe në Tiranë me përpjekje marramendëse për të homogjenizuar atë copë patriotizmi për të kulmuar me ngjarjet që ndodhën në luftën 98-99′. Dhe erdhi liria, kjo liria si duket qenka me bisht dhe nuk po e gëzojmë si duhet. Ndaj, kjo protestë jona simbolike le të shërbejë pak në ndërgjegjen dhe arsyen e atyre që na udhëheqin dhe mbajnë paradë koti”, potencoi Zeneli.

Ndërkaq, Behram Krasniqi tha se në rast mosveprimi nga AKP-ja lidhur me këto kërkesa, do të dalin në mënyrë më masive për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Unë propozoj nga ky tubim dhe e përsëriti që herave të tjera do të dalim në mënyrë edhe më masovike sepse kemi të drejta dhe kemi argumente të fuqishme. Sepse, na e kanë marrë këtë gjigand, më të madhin në Kosovë, midis Prishtinës, midis kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Prandaj, mos të luajnë më durimin tonë por të shpërblejnë mundin dhe djersën tonë. Nuk po kërkojmë lëmoshë, por ato që na takojnë”, theksoi Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.