Gazetarja serbe: Qeveria serbe s’guxon të bëjë referendum për Kosovën, i ka humbur kompetencat atje

Gazetarja dhe redaktorja e revistës javore serbe “Novi Magazin” tha se Serbia “i ka humbur kompetencat” që i ka pasur në Kosovë dhe se asnjë qeveri në Beograd, përfshirë të tanishmen, nuk do ta ketë guximin të organizojë referendum me pyetjen “A jeni pro që Kosova të mos jetë pjesë integrale e Serbisë?”.

Lidhur me një referendum të tillë, ajo tha se do të ishte vendimtare se si do të formulohej pyetja.

Ajo tha për agjencinë serbe të lajmeve, FoNet se Serbia e ka të vështirë të hyjë në Bashkimin Europian me këtë politikë ndaj Kosovës.

“Një ditë, nëse integrimi europian vazhdon, edhe Kosova edhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimit Europian, kështu që nuk ka zgjidhje”, beson Jovanoviq.

“Kosova, pavarësisht nëse dëshiron ta pranojë apo jo Serbia, tashmë është në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke mbetur pak pas Serbisë, por në atë rrugë do ta arrijë lehtësisht hapin me Serbinë”, tha ajo.

Jovanoviq parashikon se Kosova, do apo nuk dëshiron Serbia, përfundimisht do të bëhet anëtare e plotë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shpjegon se kushtet për këtë do të plotësohen në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare detyruese.

Ajo tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjithnjë e më shumë po e humbet rëndësinë e saj dhe në momentin që do të formohet “nuk do ta ketë as peshën që duhet ta kishte sipas Marrëveshjes së Brukselit”.

“Fakti është se Prishtina nuk e përmbushi kushtin bazë për vazhdimin e dialogut, që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Është gjithashtu e vërtetë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por edhe Kushtetuta e Kosovës nuk është në përputhje me Rezolutën 1244, kështu që këto janë gjëra që duhet të korrigjohen menjëherë”, tha Jovanoviq.

Ajo mendon se është e nevojshme të organizohet një konferencë ndërkombëtare, por asaj t’i paraprijë një dialog i brendshëm, në të cilin do të merrte pjesë edhe komuniteti serb nga veriu i Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.