Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dënoi ashpër, siç tha ai, ndërhyrjen e pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në ndërtesat e Autoriteteve të Përkohshme në katër komuna serbe në veri të Kosovës dhe kërkoi reagim të menjëhershëm dhe më të ashpër të komunitetit ndërkombëtarë.
Vuçeviq, në një deklaratë, theksoi se “ndoshta sot nuk do t’i shikonim pamjet e kësaj dhune të tmerrshme nëse gjatë gjithë kohës do të kishte reagime të ndryshme, pasi regjimi i Albin Kurtit ka sulmuar serbët me tyta të gjatë, përveç duke heshtur dhe duke injoruar dhunën dhe kriminalizimin e veriut të Kosovës”.
Ai ka theksuar se është e qartë se Kurti ka filluar ta realizojë planin e tij, që është të dëbojë dhe shuajë çdo gjë që është serbe, përfshirë edhe institucionet serbe në Kosovë.
“Është tregues se Albin Kurti urdhëroi përballjen e tij të fundit me serbët menjëherë pas përfundimit të vizitës dyditore në Serbi të presidentit francez Emmanuel Macron”, nënvizoi ai.
Vuçeviq theksoi se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se qëndron fuqishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, “por se nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”.
“Për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë fajin e ka vetëm një palë – regjimi i Albin Kurtit dhe këtë e tregoi edhe sot. Serbët jetojnë nën terrorin e tij dhe duhet ndalur urgjentisht”, tha kryeministri serb.
Policia e Kosovës sot i ka mbyllur 5 komuna paralele serbe në veri të Kosovës. Asgjë e jashtëzakonshme, thjesht vendim legjitim i institucioneve të Kosovës për të sunduar rendi dhe kushtetutshmëria edhe në këtë pjesë të Republikës.