Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha të shtunën e ka rezervuar për një ngjarje sportive.
Një ditë pas reagimit të ashpër të Ambasadës amerikane në Prishtinë, Hoxha ka qenë i qetë e duke shikuar gara futbolli në një aktivitet në kuadër të 25 vjetorit të Policisë së Kosovës.
“Sot është ditë sportive. Çka kemi pas dje me aksionet e kemi liru me komunikatë”, i ka thënë ai.
Ambasada e SHBA-së në reagimin e djeshëm ishte e ashpër me Ministrinë e Punëve të Brendshme por edhe Policinë, duke thënë se Qeveria po e instrumentalizon këtë institucion, për të cilin ShBA ka kontribuar gjatë.
Por, udhëqësi i Policisë nuk e konsideron këtë problem të institucionit që drejton dhe përgjegjësinë e ka hedhur tek politika.
“Është çështje që ka për t’i zgjidhur Ministria dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha.
Ndër të tjera, SHBA paralajmëroi se veprimet e së premtes të Qeverisë në veri për mbylljen e 5 komunave paralele, do të ndikojnë edhe në bashkëpunimin dhe mbështetjen e shtetit më të fuqishëm në botë jo vetëm për MPB-në por edhe institucionet në kuadër të saj, siç është në këtë rast Policia.
“Instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhej në reagimin e Ambasadës amerikane.
ShBA-ja për aksionin në veri: Vazhdimësi e veprimeve të pakoordinuara