Ambasadorin i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka thënë se për të është e qartë që Kosova ka vizion të qartë për një shtet modern, demokratik, multietnik dhe evropian.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ta mbështesim këtë dhe të promovojmë paqe dhe stabilitet në këtë rajon. Gjithsesi, kjo nuk do të arrihet derisa të zbatohen të gjitha aspektet e Marrëveshjes Bazike dhe Marrëveshjes së Ohrit, nga Kosova dhe Serbia. Është thellësisht zhgënjyese që negociatat aktualisht janë të bllokuar”.
Ai foli edhe për vendimet e Qeverisë për ndalimin e dinarit dhe mbylljen e degëve të postës serbe dhe bankës së kursimeve.
“Qoftë për dinarin apo për mbylljen e degëve të Postës Serbe dhe Bankës së Kursimeve. Unë iu bashkova komunitetit ndërkombëtar duke i bërë thirrje kryeministrit që të sigurojë që qeveria e tij të ndërmarrë masa të tilla në koordinim me ne dhe komunitetet lokale, në mënyrë që ato të zbatohen në një mënyrë që të mbrojë ata që duhet të mbrohen”, tha ai.
Në anën tjetër, Hargreaves ka thënë se faturimi i rrymës, targat dhe patentë shoferët janë hapa të suksesshëm.
“Sa i përket politikës së Qeverisë së Kosovë kundrejt komunitetit serb në Kosovë, është e rëndësishme të nënvizojmë disa nga hapat që kanë rezultuar të suksesshëm, siç është zgjidhja e faturimit të rrymës, implementimi i marrëveshjes për targat dhe konvertimit të patentë shoferëve”, tha ai për Kossev.
“Është legjitime që shteti i Kosovës të ketë pritshmëri të tilla nga qytetarët e saj në mbarë vendin. Mbretëria e Bashkuar ka bërë gjithçka që mundet për të ndihmuar aty ku sheh Qeverinë e Kosovës duke ndërmarrë hapa pozitivë, qoftë përmes punës sonë për verifikimin e diplomës apo mbështetjen e një platforme shumëgjuhëshe informative online që ndihmon të gjitha komunitetet joshumicë të angazhohen me institucionet shtetërore, ose duke ndihmuar përpjekjet që komunikimi në gjuhën serbe të bëhet në mënyrë më efikase”.
Hargreaves tha se është tejet e rëndësishme që Millan Radojiçiq dhe të përfshirët e tjerë të mbahen përgjegjës për sulmin në Banjskë.
Ambasadori u pyet edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns.
“Mendoj se këtë pyetje duhet t’ia bëni njërit prej shumë analistëve në Kosovë. Nuk mund të flas në emër të kolegëve të mi amerikanë, por nga këndvështrimi im, SHBA-ja është konsistente në përkushtimin e saj për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe nuk shoh që kjo do të ndryshojë.”