Kurti: Pasurinë që vodhën politikanët do t’ia kthejmë popullit, nuk falim e nuk harrojmë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm në një konferencë rajonale mbi praktikat anti-korrupsion, tha se “do t’ia kthejmë pasurinë popullit, pasurinë që ia zhvatën politikanët”, duke iu referuar Ligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, për të cilin tha se “do të hyjë në fuqi së shpejti”.

Kurti tha se do të luftohen “ata që u pasuruan në shpinë të popullit” dhe se pret që ai “të mos vonohet” me rishikime kushtetuese siç ishte rasti në miratimin e parë, ku u gjetën një mal shkeljesh kushtetuese.

Ai po ashtu fajësoi Gjykatën Kushtetuese që me “vonimin e reformave” të synuara kanë “lënë në fuqi elemente të qeverisjeve të vjetra”.

“Ata që janë pasuruar në shpinë të popullit do t’i përgjigjen Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme që hyn në fuqi së shpejti, i punuar sipas standardeve të Komisionit të Venecias, e me të do t’ia kthejmë pasurinë popullit, pasurinë që ia zhvatën politikanët e që nuk u përket atyre”, tha Kurti.

“Natyrisht kjo nëse nuk do t’i nënshtrohet pritjes 10 mujore apo edhe një vjeçare të kontrollit kushtetues – e cila Gjykatë Kushtetuese ka shërbyer për të vonuar çdo reformë të nisur, për të mbajtur në fuqi për pasojë elemente të qeverisjes së vjetër”, shtoi ai.

Kurti kritikoi sistemin e drejtësisë në vend, për të cilët tha se “janë dikur te rreth çerekut” të besimit të qytetarëve, ndërsa për qeverisjen e vet tha se “jemi në 53%”.

“Gjyqësori nuk e ka as gjysmën e besimit qytetar që e gëzon qeveria e Kosovës. Mbështetja ndaj qeverisë në maj 2023, sipas UNDP-së, është 53%, apo gati dy dyfishi i gjykatave. Rrotull çerekut janë”, tha ai.

“Jo shumë kohë më parë, 2018-2019, Kosova paraqitej si shtet i kapur në dokumente të BE-së, korrupsioni endemik e sistematik shtrihej në tërë institucionet publike… Një shpërndarje e tillë korrupsioni institucional…nuk lejonte zhvillimin demokratike as s’e lejonte integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare…Nuk guxojmë as të harrojmë e as të falim”, tha ai.

“Korrupsioni ishte i strukturuar nga nivelet më të larta dhe përfshinte një gamë të gjerë agjencish qeveritare. Strukturat administrative hierarkike ishin të kontrolluara politikisht… Këto tashmë i kemi ndalur, këto nuk kthehen dhe ajo epokë e zymtë për vendin ka përfunduar”, tha mes tjerash Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.