Haradinaj: Të tjerët japin grante për familjarë, ne do të ulim taksat dhe do ta bëjmë Kosovën anëtare të NATO-s

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga dega e partisë në Vushtrri.

Haradinaj ka folur për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO.

“Vushtrria është dëshmitare e potencialit të pashfrytëzuar, për shkak të një qeverie që nuk sheh përtej mureve të ndërtesës qeveritare. Në qendër të vizionit tonë, është anëtarësimi i Kosovës direkt në NATO përmes Planit Aksional, duke forcuar kështu aleancën e pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është rruga e vetme për sigurinë dhe prosperitetin e vendit tonë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se rinia e Kosovës meriton të ndërtojë të ardhmen këtu, jo në rrugët e Evropës.

“Ndërkohë që të tjerët merren me tenderë e subvencione për dosta, ne do të ulim taksat, do të hapim vende të reja pune dhe do të mbështesim bizneset me kredi të buta. Rinia e Vushtrrisë, ashtu si e gjithë rinia e Kosovës, meriton të ndërtojë të ardhmen këtu, jo në rrugët e Evropës. Do të rrisim pagat dhe pensionet, do të investojmë në arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore moderne. Në Vushtrri, ne do të angazhohemi edhe në përkrahje të bujqësisë. Tokat pjellore të kësaj ane presin ujë për të dhënë prodhimin, ndërsa fermerët presin një dorë që i mbështe”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka prezantuar kandidatët për deputetë nga radhët e AAK-së në Vushtrri.

“Listës sonë për deputet në Kuvendin e Kosovës, nga Vushtrria i bashkohet z. Mensut Ademi, Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë. Ai ka qenë luftëtar i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës në shumë beteja nga të cilat mban deri më sot plagët e luftës. Kandidatura e tij është një shans i mirë për qytetarët e Vushtrrisë dhe jo vetëm, që interesat dhe kërkesat e tyre të përfaqësohen denjësisht në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.