Vetëvendosje ka përgatitur një video me ish drejtuesit e shtetit Hashim Thaçin, Kadri Veselin të cilët ndodhen në Hagë dhe ish -Kryeministrat Isa Mustafa e Ramush Haradinaj ku i ka quajtur shkatërrues të shtetit.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar qeveritë e kaluara dhe drejtuesit e tyre.
Kësaj videoje nuk i ka shpëtuar as Rrahman Jasharaj e Behgjet Pacolli.
“Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!” ka thënë VV në mbishkrimin që e ka vendosur mbi videon e publikuar.
Ndaj këtij postimi ka reaguar ish kryeministri Avdullah Hoti. Ai ka shkruar se subjekti që drejtohet nga Kurti po merret me propagandë.
“Pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovoj rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta” ka shkruar ish-Kryeministri.