Jakurti ka thënë se kjo është padrejtësi e madhe, teksa ka bërë një krahasim me mbulimin e faturave të energjisë elektrike nga qeveria, përkundër se KEDS ka obligim kontraktual që t’i inkasojë faturat.
Ish zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë Kurti I dhe doktoranti i ekonomisë, Edison Jakurti ka vlerësuar se qeveria po zbaton ligjin në mënyrë selektive me rastin e mos-ekzekutimit të pagavë të mësimdhënësve.
Ai ka thënë se qeveria shkel rregullat për të paguar dhjetëra miliona euro për rrymën në veri, ndërsa nuk shkel ligji të kontestueshme për pagat e mësimdhënësve.
“Padrejtësi më e madhe se mos zbatimi i ligjit është zbatimi selektiv i tij. Për shembull, në veri është në rregull që të mos detyrohet KEDS-i që ose t’i inkasojë faturat, siç e ka obligim kontraktual, ose të lëshojë rrugë për shtetëzim dhe, vetëm në 3 vitet e fundit, t’i ndahen KOSTT-it 67.7 milionë euro për ta paguar rrymën atje – 10 milionë në 2020, 17.7 milionë në 2021, dhe 40 milionë me 10 gusht 2022. Ndërsa për të mos i paguar mbi 25 mijë mësimdhënës krijohet precedent duke e interpretuar një nen të një ligji në një mënyrë që mund të kontestohet lehtësisht nga një nen tjetër i po të njëjtit ligj”, ka shkruar Jakurti.
Sipas tij, një veprim i tillë, ndikon negativisht në mirëqenien e rreth 100 mijë qytetarëve në kohën kur inflacioni është me siguri mbi 13% e paralajmërimet për problemet me energji këtë dimër janë të frikshme.
“Kjo nuk është socialdemokrate. Pa inat, zgjidhja mbetet e lehtë: SBASHK-u zotohet për kompensimin e orëve të humbura, qeveria i ekzekuton pagat e shtatorit”, ka shkruar në fund ai.