Profesori universitar, Milazim Krasniqi thotë se spoti i LVV-së po paralajmëron vetërrëzimin e Qeverisë Kurti edhe mohimin e shtetit.

Sipas tij, spoti vulgar e bizar i LVV-së po paralajmëron zgjedhje të reja.

Ai këtë deklaratë e arsyeton sepse Qeveria Kurti është totalisht e dështuar, duke u shprehur se as nuk po di të ballafaqohet me krizat e brendshme, ekonomike, energjetike, arsimore, shëndetësore e diplomatike, as nuk po ka guxim të ballafaqohet me sfidat që e presin çdo qeveri të Kosovës në procesin e dialogut të pambyllur me Serbinë.

“Spoti vulgar e bizar, i bërë bashkë me goditjen e pabesë ndaj njëzet e pesë mijë mësuesve e arsimtarëve, është edhe provokim për trazira. LVV si duket po planifikon që trazirat eventuale t’i përdorë si gjethe fiku për ta mbuluar turpin e vetërrëzimit të qeverisë Kurti”.

“Sa u përket spoteve, një spot vërtet real do të mund të bëhej me veprimet e dhunshme të LVV ndër vite. Në atë spot mund të paraqiten realisht zjarrvëniet në Kuvend, sulmet egërshane ndaj policisë së shtetit, praptimi i kamionëve me mallra, sulmet ndaj zyrtarëve shtetëtorë, djegia me mollotov e veturave familjare e deri te arsenali me armë, i zbuluar dikund afër Ngrohtores. Një spot i tillë do të ishte përkujtesë e mirë për votuesit e LVV se kend e kanë votuar, në stilin “për inati të resë më vdektë djali””, shkroi Krasniqi.

Ai shtoi se votuesit e LVV kanë të drejtë të mos e ndërrojnë kurrë mendjen, deri sa të mërdhihen të gjithë, deri sa të vuajnë për bukë, deri sa Kosova të trajtohet në negociata si shtojcë e “botës serbe” dhe deri sa shqiptari i fundit ta braktisë vendin.

“Mandej ata votuesfitues mund të kenë kohë të lirë të shohin reprizat e spoteve vulgare e bizare të LVV, deri sa LVV qeveria e ricikluar pas dezertimeve serike, t’i përcjellë triumfalisht dhe solemnisht në varreza”, përfundoi ai.