Më 8 shtator 2022, Presidenca hapi tender për blerjen e shërbimeve të shfrytëzimit të veturave me qira për delegacionet zyrtare pjesëmarrëse në Forumin për gratë, paqen dhe sigurinë dhe për vizita zyrtare të delegacioneve të huaj në Kosovë.
Për edicionin e parë në Kosovë, të Forumit për gratë, paqen dhe sigurinë, Presidenca ka nënshkruar kontratë për marrjen me qira të veturave për delegacionet të cilat pritet të jenë pjesëmarrëse të këtij forumi.
Presidenca kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 9,900 euro me kohëzgjatje 24 muaj.
Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedurë e kuotimit të çmimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.
Për tenderin në fjalë kishte ofertuar vetëm një kompani, me të cilën është nënshkruar kontrata.
Kompania “CORPORA” Sh.P.K ka ofertuar me çmim 8,791 euro.
Sipas kontratës, Presidenca pritet të marrë me qira 5 makina të klasit SUV, me vlerë të përgjithshme 885 euro; 15 makina të klasit ekonomik me vozitës me vlerë të përgjithshme 4,425 euro; 5 minibusë me 8 ulëse me vozitës, me vlerë të përgjithshme 1,475 euro, dhe 10 makina të klasit VIP me vlerë të përgjithshme 2,006 euro.
Në muajin që shkoi, KALLXO.com raportoi se me iniciativën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i parë i Forumit për gratë, paqen dhe sigurinë (GPS), e cila do të mbahet më 22-23 tetor 2022.
Sipas njoftimit të Presidencës, me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj agjende, 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtjesore në procese të paqes dhe sigurisë.