“Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje. Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor”.
Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Qeveria Kurti është qeveri e ndëshkimit dhe se këtë e tregoi sapo ndodhi një grevë në sektorin publik.
Ai tha se në kohën kur ka inflacion të lartë, Qeveria la pa bukë me mijëra familje.
Veliu ironizoi me Qeverinë Kurti, duke iu referuar “Qeveria e shpresës” e për të cilën tha se çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
“Ndodhi greva në sektorin publik dhe kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit. Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve”.
Ish-ministri i Qeverisë Kurti I tha se pagat e mësimdhënësve do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.
“Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë”.