“Nëse ligji e thotë qartë se gjatë kohës së grevës grevistat nuk marrin pagë, kush është ai zyrtar publik që ka guximin me i nda mbi 11.5 milionë euro në kundërshtim me ligjin?”, ka shkruar Demi në Facebook.
Vendimi i Qeverisë për të mos i ekzekutuar pagat e punonjësve që mbajtën grevë, ka nxitur reagime pro dhe kundër tij. Mes tjerash, ka nxitur edhe debat indirekt mes disa prej fytyrave publike.
Juristi Ehat Miftaraj vazhdimisht e ka quajtur të kundërligjshëm mosekzekutimin e pagave për punonjësit publikë që mbajtën grevë gjatë shtatorit.
Aktivisti i shoqërisë civile, Agron Demi, që është angazhuar nga ambasada norvegjeze si këshilltar i jashtëm i Kuvendit, ka dhënë opinionin e tij lidhur me temën e pagave. Demi apostrofon ata që, sipas tij, e shohin “ligjin si llastiku”, për të cilët, siç thotë Demi, ekzekutimi ose jo i pagave është çështje e tekave.
Pak minuta më pas, Miftaraj i angazhuar në këtë temë, ka shkruar se “ekonomistët” po e interpretojnë ligjin për t’u hyrë në qejf pushtetit dhe se me këtë “do të marrin” shpërblim shtesë ndonjë pozitë.
“Kur ekonomistat po e interpretojne ligjin me i hi ne hatër pushtetit, shumë po iu besoj! Urime se shpejti do te merrni shperblim shtese, si pozite te anetarit te bordit, ambasador, keshilltar i jashtem, ose ndonje privilegj shtese”, ka shkruar Miftaraj.
Dje në Kosovë ka nisur viti i vonuar shkollor, pasi sindikatat e arsimit lëshuan pe, ndonëse kërkesat e tyre nuk u përmbushën. Por, po dje, Qeveria ka njoftuar përmes mediave se ata nuk do t’i paguajë për muajin shtator.
Edhe Qeveria dhe përkrahësit e saj, edhe ata që e kundërshtojnë këtë vendim, thirren në ligjin për të drejtën e grevës. Të parët thonë se nuk duhet t’i paguajnë ata që punuan, ndërsa të tjerët besojnë se mospagesa për ata që shfrytëzuan të drejtën për grevë, është ndëshkim nga Qeveria.