MASHTI del me propozim për mësimdhënësit: Rroga e shtatorit mund të merret si avans, nëse i zëvendësojnë orët e humbura

“Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit”, shkruan Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Abrërie Nagavci ka bërë të ditur se tashmë ministria që ajo drejton ka ka marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së SBASHK-ut.

Në kuadër të këtij vendimi, MASHTI i ka bërë edhe një propozim Ministrisë së Financave lidhur me çështjen e pagave për mësimdhënësit.

Nagavci në postimin e bërë në Facebook, ka shkruar se në rast se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e përkushtuar për zbatimin e Ligjit për Grevën, i cili përveç tjerash parasheh edhe pezullimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata e punës, përfshi edhe të drejtën e pagës për ditët e grevës. Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, ka shkruar Nagavci.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj sot në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se nëse nuk ekzekutohen pagat deri nesër më 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë.

Që nga 25 gushti deri më 1 tetor, punëtorët e arsimit dhe sektorëve tjerë publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga. Qeveria ua ofroi nga 50 në muaj sivjet, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit. Grevistët pezulluan veprimin sindikal, pa marrëveshje me Qeverinë, deri në janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.