“Të hënën e kemi shkruar një ankesë drejtuar qeverisë se pse nuk i kanë proceduar pagat, pesë ditë e kemi afatin që të presim. Nesër presim që të na japin përgjigjen dhe vendimin se pse nuk janë proceduar dhe të vazhdojmë me i ndërmarr veprimet tjera sindikale. Pasi ta marrim përgjigjen nga qeveria do të shohim se çfarë mase do të ndërmarrim. Pas pesë dite, pasi nesër është afati i fundit që qeveria të përgjigjet se pse nuk janë ekzekutuar pagat. Asgjë nuk do të bëhet pa e pyetur anëtarësinë”, ka thënë Kushaj.
Ende nuk janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit, të cilët për pesë javë ishin në grevë. E lidhur me këtë Reshit Kushaj nga SBASHK-u në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këtë javë i kanë dërguar Qeverisë së Kosovës një ankesë, për të kërkuar përgjigje për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
Sipas tij, SBASHK-u është në pritje të një përgjigjeje nga Qeveria e Kosovës.
Kushaj po ashtu tha se në momentin që do të marrin një përgjigje në koordinim me anëtarësinë e SBASHK-ut do të marrin veprimet tjera sindikale.
Ndërkaq i pyetur për mbajtjen e orëve të humbura, Kushaj tha: “Pasi të paguhen pagat do të shohim se çdo të bëjmë me orët e humbura”.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu pati thënë për Telegrafin se pagat për muajin shtator u janë ekzekutuar zyrtarëve të cilët kanë dalë në punë.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq, Neni 18 i Ligjit për Greva thotë se ‘Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës’, si dhe Ligji për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Greva, neni 7, pas togfjalëshit ‘Kontrata e Punës’, shtohet fjalia ‘duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’.