Serbët në veri të Republikës së Kosovës janë duke refuzuar që t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa të RKS. Afati i vendosur nga Qeveria e që skadon me 31 tetor është kërkuar që të zgjatet, kjo me qëllim të gjetjes së një marrëveshje dhe shmangieve të tensioneve të cilat mund të prolongojnë edhe më tej procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë drejt marrëveshjes finale.
Javë më parë dy krerët e shteteve më të forta të BE’së i angazhuan këshilltarët e tyre kryesorë duke i dërguar në Prishtinë e Beograd në përpjekjen e re për të gjetur një zgjidhje. Tash Scholz e Macron do të merren edhe personalisht me Kosovën e Serbinë që të parandalojnë së pari edhe një krizë të re kur po afrohet afati për targat por edhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme për dy vendet.
Me qëllim të ecjes përpara drejt normalizimit të raporteve sot në Pragë do të angazhohen edhe krerët e dy shteteve më të fuqishme të BE-së, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Të dy liderët do të zhvillojnë takime të ndara me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksnader Vucic, të cilët po marrin pjesë në takimin përurues të Komitetit Politik Evropian.
Këto takime të tyre vijnë pas vizitës që këshilltarët e tyre kryesorë kanë pasur në Prishtinë dhe Beograd.
Ndërkohë është paralajmëruar edhe një takim i mundshëm i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel përgjatë muajit tetor. Këtë e ka paralajmëruar dje në Komisionin për Integrime Evropiane, numri dy i Qeverisë, Besnik Bislimi. Megjithatë nga Brukseli kanë thënë se ende s’ka ndonjë datë të caktuar për një takim Kurti-Vuçiq.
Me ndërmjetësimin e emisarëve Lajcak dhe Escobar, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për kalimin kufitar me dokumentet të identifikimit dhe kanë larguar plotësisht fletat e hyrje-daljeve. Por, dy shtetet s’kanë arritur ende marrëveshje për çështjen e targave. Qeveria e Republikës së Kosovës ka krijuar kushte për komunitetin serb që t’i regjistrojnë makinat e tyre me tabela RKS pa kurrfarë shpenzimi, megjithatë edhe përkundër gjithë lehtësirave serbët po refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Madje një zyrtari të Policisë së Kosovës që jeton në veri ia kanë djegur makinën pasi ka hequr tabelat ilegale dhe e ka regjistruar me tabela të Republikës së Kosovës, si rezultat i presionit të madh nga Serbia.
Nga KFOR-i ndërkohë kanë paralajmëruar se në rast të krijimit të ndonjë situate sikur ato parapraket në veri do të ndërhyjnë për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.